Kurti dhe Rizvanolli vizituan Telekomin e Kosovës, premtuan modernizim të rrjetit

18:08 | 29 Dhjetor 2023
 kurti-dhe-rizvanolli-vizituan-telekomin-e-kosoves,-premtuan-modernizim-te-rrjetit

Në prag të përfundimit të vitit 2023, kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga Ministrja e Ekonomisë, Artane Rzivanolli, sot vizitoi për fundvit Ndërmarrjen Publike “Telekomi i Kosovës”. Në këtë vizitë ata u pritën nga Kryeshefja Ekzekutive, Burbuqe Hana, bashkë me menaxhmentin e lartë të Telekomit dhe anëtarët e tjerë të bordit.

Pas vizitës dhe takimit Kurti tha se Qeveria e Republikës së Kosovës i ka disbursuar Telekomit një kredi prej 20 milionë eurosh ku janë bërë pastaj investime të mëdha në teknologji në bërthamë të telefonisë mobile me pajisjet përcjellëse si dhe me BTS Antenat shtesë, sidomos në rajonin e Ferizajt dhe të Gjilanit.

“Është inspiruese të shohim se si një kompani publike me humbje dhe pa investime prej afërsisht një dekade, sot Telekomi investon në shërbime të telefonisë mobile (Vala) dhe ato fikse (internet e TV)”, tha kryeministri.

Ai theksoi se Telekomi i Kosovës ka shënuar një përmirësim të ndjeshëm në shërbimet e tij, me zgjerimin e mbulimit me shërbime mobile edhe në akse rrugore edhe në vendbanime. Po ashtu, shërbimet fikse janë zgjeruar në zona të rëndësishme si stacionet policore dhe ndërmarrjet publike. Në muajt e parë të vitit 2024, pritet të shihen ndryshime thelbësore në zonën e Mitrovicës.

Gjatë fjalës së tij kryeministri Kurti veçoi dy projektet më të mëdha zhvillimore të Telekomit të Kosovës të cilat kanë filluar në vitin 2023 dhe si të tilla  përfshijnë modernizimin e plotë të rrjetit mobil dhe mbulimin e plotë me teknologjinë 4G+ dhe me 5G, me anë të së cilave  pas 6 muajve të ardhshëm do të kenë mbulueshmëri të plotë me 4G+ dhe më pas do të vazhdohet menjëherë me 5G.

Ai foli edhe për zgjerimin e rrjetit të kabllove optike në tërë vendin e cila do të përfundojë deri në vitin 2025.

Në fund sqaroi se bashkë do të vazhdojnë të krijojnë një mjedis telekomunikativ më të përparuar dhe inovativ për të gjithë qytetarët e vendit tonë. Në përmbyllje, shtoi se si “Qeveri e Kosovës, jemi krenarë për këtë angazhim dhe përformancë të Telekomit”.

 

Ndërkaq, ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, tha se kishim një vizion të qartë se ku do të arrijmë dhe një bindje të thellë që mund të arrijmë aty relativisht shpejtë me një punë dhe përkrahje të Qeverisë.

Ministrja Rizvanolli theksoi se Telekomi i Kosovës tregon edhe një herë se jo vetëm për vete por me investimet e saj po jep rezultate indirekte në ekonominë e vendit dhe në punësim.

Ajo u shpreh se është e lumtur edhe për përformancën financiare të Telekomit, jo vetëm për përformancën si të tillë si një rezultat në vete mirëpo për përformancën financiare si një burim i investimeve të vazhdueshme të cilat do të ndodhin edhe gjatë viteve të ardhshme.

Ajo që vlen të theksohet është se tashmë ka përfunduar procesi i prokurimit për stacionet e reja që do të thotë se deri në mes të vitit të ardhshëm i tërë territori i Kosovës, do të jetë i mbuluar me rrjet 4G+ dhe do të fillojë në zonat më të banuara edhe ofrimi i shërbimit 5G.

Kurti u pyet edhe në lidhje me deklaratën e Kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, i cili ka deklaruar se nuk është çështje e Kurtit ngritja e aktakuzave. Kryeministri me këtë rast shprehu habinë me fakti, si tha ai, se edhe pse Radojçiq e ka pranuar pjesëmarrjen në sulm, ende nuk ka aktakuzë.

Komento: