“Kurti do të ketë rekord të ri në humbje të votave”/ Lushtaku: S’kemi vija të kuqe për koalicion

16:31 | 30 Qershor 2024
“kurti-do-te-kete-rekord-te-ri-ne-humbje-te-votave”/-lushtaku:-s’kemi-vija-te-kuqe-per-koalicion

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Mërgim Lushtaku, ka thënë se mos mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme do të krijojë mundësi dhe hapësirë më të madhe që partitë t’i paraqesin platformat elektorale dhe të shohin dhe premtimet e partive në qeveri që janë realizuar.

“Ne besojmë që partitë tashmë kanë mundësi dhe hapësirë më të gjatë për të paraqitur platforma elektorale dhe premtimet për kategori të ndryshme shoqërore, për studentë, pensionistë, ekonomitë familjare, bizneset e ndryshme, ka mundësi edhe të bëhen krahasime në mes të të gjitha partive politike që kanë qenë në pushtet për të parë se sa kanë pasur mundësi t’i realizojnë premtimet e tyre dhe këtu ka mundësi qytetari që me gjakftohtësi të shohë se cila ka qenë arritja më e madhe, si në aspektin e zotimit edhe në të realizimit të tyre”, thotë deputeti për Gazeta Blic.

Ai përmend kandidatin e PDK-së, Bedri Hamza, që thotë se është kandidati për real dhe i mundshëm që të jetë kryeministër, teksa shton se ka dëshpërim të madh ndaj Qeverisë Kurti.

“Pastaj sigurisht është edhe performanca e çdo qeverie, sidomos e kësaj të fundit por besoj që me kandidatin që e kemi ne, Bedri Hamzën, është kandidati më real dhe më i mundshëm për ta marrë pozitën e kryeministrit dhe besoj që do të ketë një rritje të besueshmërisë edhe të PDK-së, me një ekip çfarë propozon edhe vetë Bedri Hamza. Në këtë aspekt besojmë që ne kemi mundësi si parti t’i fitojmë zgjedhjet dhe të kemi mundësi të udhëheqim me qeverinë. Por sigurisht që kjo nuk bëhet brenda natës, ne jemi në komunikim të vazhdueshëm me qytetarët, ka dëshpërim të madh ndaj kësaj qeverie dhe sigurisht që presin një alternativë të prekshme dhe nuk presin më demagogji çfarë u ka dhënë kjo qeveria e fundit”, vlerëson Lushtaku.

Duke komentuar deklaratat e kryeministrit Kurti se në zgjedhjet e ardhshme do të thyejnë rekord të ri me vota, deputeti i PDK-së thotë se rekordi i ri do të jetë humbja e përqindjes së votave, për shkak të udhëheqjes së dobët.

“Besoj që rekordi i ri do të jetë humbja e madhe e përqindjes çfarë e ka pasur në zgjedhjet e fundit. Është e vërtetë që ka pasur rekord në zgjedhjet e vitit 2021 por besoj që nga partitë që kanë qenë në pushtet nuk do të ketë parti që do të humbë elektorat dhe besueshmëri më shumë se Vetëvendosje për shkak të udhëheqjes së dobët që e ka pasur në këto vitet e fundit”, thekson ai.

Ndërsa, lidhur me mundësinë e koalicioneve me VV-në apo partitë tjera, Lushtaku thotë se s’kanë vija të kuqe për askënd por që duan të kenë koalicionin me qytetarin.

“PDK e ka koalicionin me qytetarët e Kosovës dhe mundohet sa më shumë me forma të ndryshme të komunikimit të bëjë prezantimin e projekteve të ndryshme dhe të krijojë ura bashkëpunimi me qytetarë të kategorive të ndryshme që të arrijë të ketë një numër të madh të deputetëve që ata pastaj të mos kenë dhe mundësinë ndoshta edhe të koalicionit. Por nëse flasim në aspektin real, nuk ka mundësi vetëm PDK-ja, vetëm VV-ja, vetëm LDK-ja apo AAK-ja të krijojë një qeveri të vetme siç ka ndodhur me qeverinë e fundit, kështu që besoj që pas zgjedhjeve dhe pasi qytetari të ketë mundësinë të vendosë se cilët do t’i ketë përfaqësuesit e tyre në Kuvend, atëherë ka mundësi për të folur më tutje për koalicione”, shprehet tutje ai.

Sipas deputetit, PDK është e interesuar që VV-në ta lë në opozitë dhe të bëjë koalicion me partitë tjera.

“Ne si PDK e kemi traditën që s’kemi vija të kuqe për askënd por s’kemi dëshirë dhe as nuk kemi në rend të parë Vetëvendosjen sepse mendojmë se duhet të shkojmë më partitë e tjera në koalicion por kjo varet kryesisht prej zgjedhjeve, edhe pse nuk dëshirojmë assesi që të shkojmë me VV-në, ne nuk kemi vija të kuqe për arsye se mendojmë që duhet t’i lëmë hapësirë numrave në Kuvend të përcaktojnë. Nëse qytetarët e Kosovës kanë një besim më të madh që ne të marrim numra të mjaftueshëm që të bëjmë koalicion me partitë e tjera, atëherë preferojmë të kemi koalicion me partitë e tjera opozitare dhe ta lëmë në opozitë Vetëvendosjen”, deklaron deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku.

Komento: