Kurti e Abdixhiku pa marrëveshje pas takimit të djeshëm, bisedimet do të vazhdojnë

07:35 | 05 Gusht 2026
kurti-e-abdixhiku-pa-marreveshje-pas-takimit-te-djeshem,-bisedimet-do-te-vazhdojne

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, dhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, janë takuar dje në mbrëmje në një përpjekje për të gjetur një marrëveshje për formimin e institucioneve të reja.

Takimi, i cili zgjati rreth tri orë, përfundoi pa një dakordim mes palëve.

Pas takimit, Kurti, i cili ushtron edhe detyrën e kryeministrit në detyrë, tha se ende nuk është arritur një marrëveshje politike, ndonëse sipas tij ka gatishmëri për bashkëpunim.

“Lajm do të ishte po të kishim marrëveshje. Diskutuam për qasje dhe mundësi të ndryshme, por na duhet një marrëveshje politike që respekton rezultatin zgjedhor dhe e shndërron atë në stabilitet institucional.

Askush nuk i dëshiron zgjedhjet e reja, por nëse nuk ka përparim, ato mund të bëhen të pashmangshme”, deklaroi Kurti.

Ai theksoi se Vetëvendosje mbetet e interesuar për një bashkëpunim me LDK-në, duke shtuar se posti i presidentit duhet t’i takojë një figure jopolitike dhe konsensuale, që përfaqëson Republikën dhe jo pushtetin politik.

Kurti bëri të ditur gjithashtu se është i gatshëm të zhvillojë takime edhe me krerët e Partisë Demokratike të Kosovës dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, pavarësisht refuzimeve të deritanishme.

Nga ana tjetër, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, e cilësoi takimin si konstruktiv dhe tha se dialogu mes dy partive do të vazhdojë edhe në ditët në vijim.

Sipas tij, zgjidhja duhet të jetë gjithëpërfshirëse dhe të përfshijë marrëveshje për tri postet kryesore: Kuvendin, Qeverinë dhe Presidencën.

“LDK-ja nuk ka interes për postin e kryetarit të Kuvendit, pasi e konsiderojmë një pozitë ceremoniale që duhet t’i takojë propozimit të partisë së parë.

Për çështjet e tjera kemi ende kohë dhe sa më shpejt të arrihet një marrëveshje, aq më mirë”, tha Abdixhiku.

Ai ritheksoi se LDK-ja mbetet në qëndrimet e saj të bëra publike, duke kërkuar një marrëveshje që garanton balancë institucionale dhe demokratike.

Ndërkohë, seanca konstituive e Kuvendit është caktuar të mbahet sot, më 6 gusht.

Komento: