
Albin Kurti nuk e përmendi asnjëherë Rexhep Selimin gjatë fushatës.
Sot është dita e fundit e fushatës elektorale për zgjedhjet e 14 shkurtit. Nesër do të jetë dita e heshtjes zgjedhore teksa të dielen do të mbahet procesi zgjedhor që do të determinojë edhe rrjedhën e ngjarjeve politike në Kosovë.
E fushata elektorale e partive kësaj radhe është karakaterizuar me elemente të cilat ndryshojnë nga njëra tjetra, mirëpo të cilat gjithashtu nuk janë hasur gjatë zgjedhjeve të kaluara, shkruan lajmi.net.
Realitet i ri në vendin tonë është po ashtu mungesa e krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi e Jakup Krasniqi të cilët po përballen me akuza për krime lufte në Hagë, dhe të cilët gjenden në paraburgim që nga 5 nëntori kur edhe ishin ndaluar nga hetuesit e Speciales.
Fushata e PDK-së, kryesisht ishte e përqëndruar në komunat të cilat ishin bazat kryesore të UÇK-së gjatë luftës së fundit në Kosovë, Skenderaj, Drenasi, Mitrovica etj.
Gjatë gjithë fushatës, u.d i kryetarit të PDK-së, njëherit kandidat për kryeministër, Enver Hoxhaj, kryefjalë pati ish-udhëheqësit e kësaj partie e njëherit Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi e Kadri Veseli.
Madje edhe spoti kryesor i fushatës i cili u transmetua gati në secilin tubim të kësaj partie pati protagonistë Thaçin e Veselin.
Mirëpo kështu nuk ndodhi me Vetëvendosjen, ani pse edhe ish-shefi i Grupit Parlamentar të kësaj partie, Rexhep Selimi po përballet me drejtësinë ndërkombëtare për luftën çlirimtare.
Kurti dhe akterët e tjerë të VV-së, nuk u dëgjuan ta përmendin Rexhep Selimin në asnjë tubim që mbajtën nëpër komunat në Kosovë, përveç një vizite që ia kishte bërë familjes së tij para fushatës.
Lideri i VV-së siç duket u mjaftua me numrin 10 në listën e kandidatëve për deputetë të cilin ia la bashkëshortes së Rexhep Selimit, Shqipes.
Kurti nuk e tha madje asnjë fjalë as për ish-ushtarët e tjerë që po gjykohen e pritet të gjykohen në të ardhmen nga Dhomat e Specializuara në Hagë, ani pse në të kaluarën jepte premtime të forta se nuk do t’i dorëzojë luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Sidoqoftë, Kurti nuk është se pas arrestimit të Rexhep Selimit është marrë shumë me çështjen e tij.
Krejt çka kishte vepruar ai ishte një letër simbolike që ia kishte dërguar gjyqtarit francez të Speciales, e ku mundohej të jepte garanci për lirimin nga paraburgimi të Selimit, dhe faktin që ai do t’i përmbahej kushteve dhe nuk do të arratisej.
Sidoqoftë, kjo letër as që ishte marrë për bazë nga gjyqtari i Procedurës Paraprake i cili Rexhep Selimit ia kishte refuzuar lirimin, njëjtë si krerëve tjerë të luftës çlirimtare.
Gjykatësi s’e merr për bazë letrën e Kurtit: Deklaratat për karakterin e Selimit nuk eliminojnë rrezikun e ikjes
Si Vetëvendosje nuk veproi as Nisma Socialdemokrate, ku edhe vet slogani “Me Çlirimtarët” u dedikohej ish ushtarëve që drejtojnë këtë parti, mirëpo edhe atyre që po gjykohen në Hagë, specifikisht Jakup Kransiqit.
Ndryshe, Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli e Rexhep Selimi po mbahen që nga 5 nëntori në paraburgim në Hagë.
Mbi ta rëndojnë gjithësej 10 akuza për krime lufte. /Lajmi.net/