Kurti e merr me vete deputetin Fatmir Humolli në homazhe, një ditë pasi e kritikoi qeverinë

13:04 | 18 Prill 2022

Një ditë pasi e kritikoi qeverinë, Kurti e merr me vete deputetin Fatmir Humolli në homazhe.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka bërë sot homazhe te varrezat në Velani të Prishtinës, ndërsa krah tij është parë edhe deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Fatmir Humolli i cili dje kritikoi ministrin e Bujqësisë Faton Pecin dhe qeverisjen e Lëvizjes Vetëvendosje se nuk po e ndalin “gjakderdhjen financiare”.

Përveç Humollit, me Kurtin ishin edhe disa deputetë të tjerë, por ajo që bie në sy është se Humolli qëndron me Kurtin vetëm një ditë pas kritikave të tij drejtuar ministrit të qeverisë së udhëhequr nga shefi i tij edhe në parti, shkruan lajmi.

Ai është prej zyrtarëve që LVV-së i është bashkuar së voni dhe është një prej deputetëve të ri në përbërjen e grupit parlamentar të këtij subjekti.

Një deklaratë e Humollit, i cili disa vjet ka qenë anëtar i AAK-së së Ramush Haradinajt, mori vëmendjen dje. Ai po e kritikonte Qeverinë Kurti, veçanërisht ministrin e Bujqësisë, Faton Pecin. Sipas deputetit të LVV-së, ky ministër “nuk merr vesh” në bujqësi.

“Gjakderdhja financiare që është bërë, është duke vazhdu gjakderdhja financiare. Vetëvendosja, kemi kërku që kena me ndalë këtë. Kam kërku prej qeverisë që me ndalë. Edhe nuk ka ide se qysh me zhvillu. Unë i kam thanë Albin Kurtit unë hy në listë, por me kushtin që duhet me u bë 1 mijë fshatra prodhuese. Me 1 mijë fshatra prodhuese, tash Qeveria e Kosovës që është, nuk vjen me bisedu as nuk kam mundësi me bisedu, që është ministri që nuk merr vesh për Bujqësi. Nuk e di ai çka ka të kryer, por ai nuk merr vesh për Bujqësi dhe tash çka ke me bisedu me të”, kishte thënë Humolli në një intervistë në televizionin lokal “TV Llapi”.

Humolli është ndër deputetët e rrallë, për të mos thënë i vetmi që e ka kritikuar qeverinë Kurti dhe ministrat e qeverisë nga deputetët e mazhorancës.

Komento: