Kurti e Möller flasin për mbështetjen e Gjermanisë në fushën e mbrojtjes

20:41 | 18 Dhjetor 2023
kurti-e-moller-flasin-per-mbeshtetjen-e-gjermanise-ne-fushen-e-mbrojtjes

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka takuar Sekretaren Parlamentare të Shtetit në Ministrinë Federale të Mbrojtjes së Republikës së Gjermanisë, Siemtje Möller me të cilën ka diskutuar rreth mbështetjes së vazhdueshme të Gjermanisë, veçanërisht në sektorin e mbrojtjes, ku siç është shprehur Kurti kontingjenti i KFOR-it gjerman vazhdon të jetë më i madhi në Kosovë.

Në njoftimin për media, thuhet se Kurti ka shprehur mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme të Gjermanisë, veçanërisht në sektorin e mbrojtjes duke theksuar rolin dhe rëndësinë që Bundeswehr ka luajtur për sigurinë e vendit përmes misionit të KFOR-i në Kosovë dhe ngritjes së kapaciteteve të Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Ai e njoftoi për vëmendjen që i është dhënë mbrojtjes gjatë qeverisjes së deritanishme, buxhetin që i është ndarë Ministrisë së Mbrojtjes, i cili këtë vit ishte mbi 200 milionë euro apo më shumë se 2% e Bruto Produktit Vendor, dhe rritjen e investimeve në Forcën e Sigurisë së Kosovës.

Megjithëkëtë, kryeministri Kurti theksoi rëndësinë e bashkëpunimit me Gjermaninë dhe mbështetjes së vazhdueshme të KFOR-it me qëllim garantimin e sigurisë dhe paqes në vend dhe rajon.

Gjatë takimit u diskutua edhe për raportet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, procesin e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian dhe për marrëveshjen e Brukselit dhe aneksin e Ohrit.

Ndryshe, në takimin e Kurtit me Sekretaren Möller në kuadër të delegacionit përcjellës ishte e shoqëruar edhe nga ambasadori gjerman në Kosovë, Jörn Rhode.

Komento: