A ka shpresë se mund të ndodh koalicioni mes VV-së dhe LDK-së?
Edhe një takim i pasuksesshëm në nivel të liderëve të partive, mes LDK-së dhe Vetëvendosjes.
Sot, Mustafa e Kurti në takim janë pajtuar vetëm që të takohen përsëri për të diskutuar për një marrëveshje të mundshme për formimin e qeverisë.
Tash, kur kanë kaluar më shumë se dy muaj nga dita e zgjedhjeve dhe dy javë nga certifikimi i rezultateve, dy partitë që dolen të parat në zgjedhje nuk kanë marrëveshje për qeverisje.
E sot, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka ftuar seancën konsituive të Kuvendit të Kosovës më 24 dhjetor – që nënkupton se edhe 2 javë kohë kanë mbetur për arritjen e një marrëveshje të tillë.
Pas zgjedhjeve dukej si punë e kryer, LDK dhe Vetëvendosje deklaronin se do të formojnë qeverinë së bashku, por, gjuha e përdorur nga të dy partitë në media ishte e ashpër.
LDK shtyu takimet deri në certifikimin e rezultateve dhe madje, as tani nuk e pranojnë se Vetëvendosje është fituese në zgjedhje – ata deklarojnë se VV ka fituar vetëm të drejtën për formimin e qeverisë.
I ashtuquajturi nga të dy partitë “koalicioni i shpresës”, nuk po arrinë të formohet edhe pas harmonizimit të plotë të planprogramit qeverisës e për këtë pengesë po duket të jenë postet.
Lidhja Demokratike e Kosovës ka Presidentin si kërkesë eksplicite ndaj Vetëvendosjes – gjë që këta të fundit nuk e pranojnë me asnjë kusht t’i takojë LDK-së.
Mandatari i Vetëvendosjes për formimin e qeverisë është Albin Kurti – ndërsa zgjedhja e parë e ministrive i takon LDK-së, gjë që bëri të mos arrihet marrëveshje, pasi LDK kërkoi Ministrinë e Punëve të Brendshme.
Sipas raportimit në media mospajtime rreth posteve ministrore ka edhe në sektoret e tjera – ndërsa një marrëveshje po deklarohet se është afër, pa dhënë datë e pa deklarime për media nga të dy liderët.
Nga Lëvizja Vetëvendosje dhe nga Lidhja Demokratike e Kosovës kanë shkëmbyer në media mesazhe paralajmëruese ndaj njëra-tjetrës, duke mos mohuar as mundësinë e shkuarjes në zgjedhje.
Në anën tjetër, Partia Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe koalicioni Nisma-AKR kanë vendosur të qëndrojnë në opozitë, e mundësia e vetme për LDK – LVV është arritja e një marrëveshje mes tyre.
Sot, zëdhënësi për media i LDK-së, Besian Mustafa, pas takimit të dy liderëve, Kurti e Mustafa është shprehur se takimet do të vazhdojnë.
“Takimi mes dy liderëve tashmë ka përfunduar, edhe Kurti edhe Mustafa janë pajtuar që të intensifikojnë takimet në ditët në vijim deri në arritje e marrëveshjes për koalicion qeverisës mes dy partive tona. Besoj se shumë shpejt nesër ose pasnesër nëse lejon agjenda e dy liderëve, ata do të takohen sërish”, ka thënë Mustafa.
Se a do të arrihet një koalicion midis Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Lëvizjes Vetëvendosje mbetet të shihet, por vonesat sipas analistëve shkojnë në dëm të Kosovës.