Kurti e njeh Thaçin si figurë historike: Duhet kujtuar me respekt kontributi

13:01 | 02 March 2023

Në një intervistë të publikuar nga Revista “Shenja”, Kryeministri Albin Kurti është pyetur për ish-Presidentët Ibrahim Rugova e Hashim Thaçi dhe veprimtarin Adem Demaçi.

Kurti, ndoshta për herë të parë, refuzon të flasë për gabimet që, sipas tij, mund t’i ketë bërë Hashim Thaçi.

Ai thotë se në kohë përvjetorësh, duke iu referuar dhe përvjetorit të Pavarësisë së Kosovës, Rugova, Demaçi dhe Thaçi, duhet kujtuar me respekt për kontributin e tyre.

“Në këtë kohë festimesh e përvjetorësh jubilarë, këto tre figura duhen kujtuar me respekt për kontributet e tyre të cilat kanë qenë sidoqoftë thelbësisht të ndryshme, edhe pse në të njëjtin drejtim: atë të pavarësisë së Kosovës. Pikërisht kjo është gjëja që i bashkon këto tre figura të ndryshme nga njëra-tjetra”, ka thënë Kurti.

Tutje ai thotë se, si Kryeministër, nuk i lejohet të komentojë apo të kritikojë personalitete historike, duke thënë se të treve ua njeh kontributët.

“Nuk më lejohet mua si kryeministër i të gjithë qytetarëve të Kosovës të komentoj apo të bëj kritika ndaj personaliteteve historike, në kuadër të kontributeve të tyre për Kosovën. Le të merren me këtë gjë historianët. Unë e kam për detyrë t´i respektoj e t´u jem mirënjohës që secili ka dhënë aq sa ka ditur e mundur”, thotë Kryeministri.

Komento: