Kurti e përkujton Ivanoviqin si njeri të respektueshëm, dikur VV e akuzonte për krime të rënda

23:11 | 16 January 2023

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka përkujtuar sot politikanin serb, Oliver Ivanoviq në pesëvjetorin e vrasjes, duke thënë se ai ishte person i përkushtuar ndaj komunitetit të tij dhe “i respektueshëm edhe ndaj atyre me të cilët nuk ishte dakord”.

Megjithatë, Kurti që tani është kryeministër, sa ishte opozitar, kishte krejt mendim të kundërt për ish politikanin serb, të cilin organizata politike që e udhëheq, Vetëvendosje e bënte përgjegjës për krime të rënda.

Dënimi i Ivanoviq me 9 vjet në vitin 2016, ishte vlerësuar si poshtërim për drejtësinë nga Vetëvendosje.

“Oliver Ivanoviq dhe bashkëpunëtorët e tij gjatë dhe pas përfundimit zyrtar të luftës në Kosovë janë angazhuar për realizimin e planit hegjemon të shtetit të Serbisë – kolonizimi dhe spastrimi i Kosovës. Oliver Ivanoviqi dhe bashkëpunëtorët e tij nuk janë asgjë më pak se sa konkretja e Ilija Grashaninit – vrit dhe dëbo”, thuhet në reagimin e VV-së.

VV konsideronte që veprat e kryera nga Ivanoviq, ishin vepra penale të nivelit ndërkombëtar. Dënimi me 9 vite i Ivanoviq, për VV-në, shpërfaqte vetëm padrejtësi e jo drejtësi.

7 vite më pas, Kurti mendon ndryshe dhe për ndryshimin e mendimit të tij për Ivanoviqin ai nuk ka dhënë një shpjegim se si ka ndodhur.

Në pesëvjetorin e vrasjes ai sot përmes një videoje, i ka shprehur ngushëllime familjes Ivanoviq. Kurti tha se Ivanoviq kishte punuar një Kosovë shumë-etnike.

“Sot ne përkujtojmë jetën dhe kujtimin e Oliver Ivanoviqit, në ditën e vdekjes së tij. Mendimet dhe ngushëllimet e mia janë me familjen dhe miqtë e tij. Oliver Ivanoviq ishte një person i përkushtuar për të luftuar për interesat e komunitetit dhe qytetit të tij. Ai e bëri këtë duke qenë i hapur, i sinqertë, gjithmonë i mprehtë në çështjet me rëndësi, por edhe i respektueshëm edhe ndaj atyre me të cilët nuk ishte dakord. Do të dëshiroja që kujtimi i tij të mbetet i gjallë, kujtimi i tij si një njeri që punoi për një të ardhme të qëndrueshme dhe për një Kosovë shumë etnike”, ka thënë Kurti.

Sipas Kurtit, vrasja e Ivanoviqit ndikoi të gjithë shoqërinë.

“Ky krim vrau jo vetëm Oliver Ivanoviqin, por edhe pluralizmin politik te serbët. Kosova do të jetë e palëkundur në përkushtimin e saj për të qenë një shoqëri multikulturore dhe shumë etnike ku njerëzit ndihen të sigurt, mund të thonë mendimet e tyre dhe ta trajtojnë njëri-tjetrin me respekt, edhe nëse nuk pajtohen. Në këtë mënyrë të gjithë do ta ruajmë kujtimin e Oliver Ivanoviqit”, theksoi ai.

Komento: