Kurti e zhvendos në Bruksel postin e Kryenegociatorit, përveç si ulje e nivelit, veprimi shihet si mundësi për negociata më diskrete

15:30 | 23 Prill 2026
kurti-e-zhvendos-ne-bruksel-postin-e-kryenegociatorit,-pervec-si-ulje-e-nivelit,-veprimi-shihet-si-mundesi-per-negociata-me-diskrete

Kreu i Qeverisë së Kosovës, Albin Kurti, për vite me radhë ia kishte besuar negociatat me Serbinë njeriut të afërt të tij dhe numrit dy në Qeveri, Besnik Bislimit. Gjatë mandatit të Bislimit, kur diplomacinë e BE-së e drejtonte Josep Borell dhe negociatat Miroslav Lajcak, Kosova ka arritur marrëveshjen e vitit 2023 me Serbinë, e cila njihet edhe si Marrëveshja e Ohrit.

Besnik Velija

Kjo marrëveshje ka gjithsejtë 11 pika, në mesin e të cilave edhe krijimi i “Vetëmenaxhimit” për komunitetin serb. BE ditë më parë për Gazetën Express kanë kërkuar që të respektohen e implementohen të gjitha marrëveshjet e Dialogut, përfshirë edhe “Vetëmenaxhimin”, duke kërkuar që Kosova të lëviz e para.

Megjithatë, në një kohë kur Dialogu s’ka pasur ndonjë përparim të theksuar dhe prej kohësh s’ka pasur takimet të nivelit të lartë, kreu i Qeverisë së Kosovës, Albin Kurti, ka vendosur që ta ulë nivelin e përfaqësimit të Kosovës në negociatat me Serbinë.

Të mërkurën e 22 prillit, Qeveria ka njoftuar se Kurti e ka emëruar ambasadorin e Kosovës në Bruksel, Agron Bajramin, si pasues të Besnik Bislimit. Kurti e ka bërë këtë emërim, ndonëse ishte përfolur për mundësinë që me negociatat të merrej zëvendëskryeministri e kryediplomati, Glauk Konjufca.

Pas largimit të Bislimit, Konjufca madje kishte pritur në një takim emisarin e BE-së për dialogun, Peter Sorensen, megjithatë Kurti nuk ia ka besuar dosjen e negociatave shokut tij të ngushtë në parti.

Analisti dhe anëtari i “Atlantic Council”, Agon Maliqi, thotë se emërimi i Bajramit mund të jetë lëvizje për negociata më diskrete, megjithatë thotë se s’mund të ketë ngjarje të mëdha që ndodhin larg syve të publikut, meqë palë është edhe Serbia.

“Mund të jetë një efekt, pra diskrecion më i madh, por gjithsesi lëvizjet janë të dukshme, sepse edhe Serbia ka kryenegociator, dhe nëse ka zhvillime më të mëdha e shoh të pamundur që të mos përfshihet edhe niveli i lartë”, ka thënë Maliqi për Express.

Sipas Maliqit, emërimi i Agron Bajramit si shef i negociatave me Serbinë mund të ketë disa përparësi, meqë ai e njeh procesin, duke qenë se ka qenë pjesë e medias për një kohë të gjatë, por edhe për një kohë është duke shërbyer si ambasador në Bruksel nga ku edhe mund t’i ndjek zhvillimet nga afër.

Analisti kosovar thotë se megjithatë emërimi i Bajramit është sinjal për ulje të nivelit të përfaqësimit në Dialog dhe trajtim periferik të procesit.

“Emërimi i Bajramit ka disa përparësi, kompetencën e tij personale, njohjen e temave qoftë nga e kaluara në media, apo edhe ndjekjen nga afër duke qenë në Bruksel, dhe në anën praktike e logjistike apo mundësinë për të ndërhyrë shpejt. Sidoqoftë ky emërim gjithashtu sinjalizon ulje të nivelit politik të përfaqësimit dhe trajtim periferik të dialogut, pra me këtë hap qeveria i jep dialogut më pak rëndësi”, ka thënë Maliqi për Express.

Si ulje të nivelit të përfaqësimit në Dialog e ka parë edhe analisti serb, Dragisa Mijacic. Ai ka thënë se Kurti ka ndërmarrë një hap reciprok kur ka emëruar Agron Bajramin si kryenegociator, meqë tashmë Serbia prej kohësh e kishte ulur nivelin me Petar Petkovic si përfaqësues si Serbisë në dialog.

Për shkak të krizës politike e institucionale në të cilën gjendet Kosova prej dy vitesh, nuk ka pasur takime të nivelit të lartë në Bruksel. Kryediplomatja e BE-së, Kaja Kallas, dhe emisari Peter Sorensën, janë duke bërë përpjekje për të aranzhuar një takim Kurti-Vuçiq, megjithatë s’ka asgjë konkrete.

Ndërkohë Kosova është në ditët e saj vendimtare për të mësuar nëse do të shkojë në zgjedhje të reja apo nëse do të ketë një marrëveshje mes partive politike për zgjedhjen e një presidenti. Nëse s’do të ketë sukës deri me datën 27 prill, vendi do të shkojë automatikisht në zgjedhje të reja, gjë që do të prolongojë edhe më tej procesin e Dialogut.

Komento: