“Marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë duhet ta ketë njohjen reciproke në qendër”
Pas takimit me ambasadorët e shteteve të QUINT-it në Prishtinë, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, zhvilloi një bisedë telefonike me Përfaqësuesin e Lartë të BE-së për Punë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell.
Ata folën për procesin e dialogut, mbarëvajtjen e tij, për përmbajtjen e kornizës themelore të marrëveshjes, që për normalizimin e plotë të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duhet ta ketë njohjen reciproke në qendër, dhe për çështje aktuale.
Kurti u shpreh se paqja dhe siguria në njërën anë dhe sundimi i ligjit dhe demokracia në anën tjetër shkojnë bashkë kudo në Kosovë.
I pari i qeverisë gjatë takimit me ambasadorët e vendeve të Quintit dhe përfaqësuesin e Zyrës të Bashkimit Evropian në lidhje me vendimin për targat, u tha ambasadorëve se ky vendim nuk është i drejtuar kundër serbëve të Kosovës.
“Nëpërmjet tij dhe me ftesën tonë të hapur për të konvertuar targat e tyre në ato legale dhe zyrtare, edhe po respektojmë sundimin e ligjit edhe po u japim lehtësime financiare” tha Kurti.
Në takim u diskutua edhe për zhvillimet në vend, procesin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe për çështjet aktuale, me theks te energjia dhe vendimi i Qeverisë për targat të veturave.