Kurti flet pas rekrutimit të 180 ushtarëve të rinj të FSK-së

12:30 | 22 Tetor 2021

Sot janë betuar 180 ushtarë të rinj të FSK-së.

Sot në Kazermën e Forcës së Sigurisë së Kosovës “Skënderbeu”, në Ferizaj është bërë rekrutimi i 180 ushtarëve të rinj të FSK-së, shkruan Gazeta Express.

Prezente në këtë ceremoni ishte edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani e cila tha se është jashtëzakonisht krenare për përparimin e FSK-së.
“Këta 180 rekrutë janë pjesë e Ushtrisë. Si komandante supreme e FSK-së jam jashtëzakonisht krenare që po e shoh çdo ditë përparimin e FSK-së. Jam krenare që në mesin e rekrutëve shoh 12 gra. Hapja e FSK-së ndaj vajzave dhe grave nuk është nevojë por edhe domosdoshmëri. E ardhmja garantohet duke ndërtuar ata, prandaj sot po zgjerohet baza e forcave tona të armatosura. Forca jonë është në funksion të mbrojtjes së sovranitetit dhe paprekshmërisë së territorit”, thuhet në njoftim.

Në ndërkohë, kryeministri i vendit Albin Kurti ka thënë se rekrutët e rinj të FSK-së do t’i shërbejnë atdheut dhe mbrojtjes së territorit.

“Duke qenë pjesë e FSK-së, ju keni nderin t’i shërbeni vendit përkrah aleatëve, ushtarëve të NATO-s karshi paqes globale. Tash e tutje do të shërbeni në Forcën që po zhvillohet çdo ditë e më shumë. Rritja e buxhetit për Ministrinë dhe forcës tregon përkushtimin tonë për forcimin e paqes”, ka thënë ai.

Kurti ka thënë se qeveria që ai drejton do ta ketë si një nga prioritetet kryesore FSK-në.

“Rritja e buxhetit për Ministrinë e Mbrojtjes dhe FSK-në tregon për përkushtimin tonë që kemi për rritjen e sigurisë dhe mbrojtjen e sovranitetit dhe territorin tonë. Kjo tregon gjithashtu për përkushtimin tonë për ruajtjen e paqes jo vetëm në vend, por edhe në rajon dhe më gjerë”, ka thënë më tutje ai.

Komento: