Kryeministri thotë se në mënyrë jodirekte është paralajmëruar për humbje të mbështetjes nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Por, ai thotë se vlerësimi për Kosovën nuk duhet të bëhet nga “dëgjueshmëria ndaj cilitdo zyrtar”, por nga ajo se çka bëhet brenda vendit.
Përfaqësuesi special për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajcak ka përmendur mundësinë e sanksionimit të shtetit jobashkëpunues, në përpjekjet për të arritur një marrëveshje mes dy shteteve.
Kryeministri Albin Kurti thotë se mbase njëherë do të duhej të mendohej sanksionimi i Serbisë, për qëndrimin ndaj Rusisë, prej kur ajo ka nisur luftën në Ukrainë.
“Kosova është rreshtuar me Bashkimin Evropian, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Britaninë e Madhe sa u përket sanksioneve ndaj Federatës Ruse dhe agresionit të invazionit të tyre në Ukrainë. Serbia nuk i ka vënë sanksione Federatës Ruse dhe mbase do të duhej të mendohej njëherë për sanksionet që duhet t’i ketë Serbia pse s’po i vë sanksione Rusisë”, ka thënë Kurti në një intervistë për Radio Evropën e Lirë.
Vlerësimi për Kosovën, thotë Kurti, duhet të bazohet ekskluzivisht në atë që bëhet brenda vendit, e jo për nga dëgjueshmëria “ndaj cilitdo zyrtar”.
“Natyrisht që procese të caktuara do të mund të na i vonojnë, mirëpo unë besoj që garancia më e fuqishme që ka Republika e Kosovës është Raporti i fundit i Progresit nga tetori i vitit të kaluar, i cili është raporti më i mirë që kemi marrë ndonjëherë si vlerësim për shtetin tonë. Me këtë rast duhet theksuar që nuk ekziston asnjë fushë, në të cilën kemi ose regres ose stagnim. Bëhet fjalë vetëm për lloje të ndryshme të progresit, prandaj vlerësimi për Kosovën duhet të bazohet ekskluzivisht në atë çfarë ne bëjmë në vendin tonë sa u përket vlerave evropiane dhe rritjes ekonomike e jo për nga dëgjueshmëria, le të themi politike, ndaj cilitdo zyrtar”, thotë Kurti.
Kryeministri, i pyetur nëse ndërkombëtarët i kanë përmendur humbjen e mbështetjes në rast se Kosova nuk tregohet konstruktive, siç ata e mendojnë, ka thënë se e kanë thënë në mënyrë të aluduar.
“Shikoni, nuk kemi diçka konkrete. Por, mund ta kenë thënë në mënyrë implicite ose të aluduar që mbështetja për Kosovën që pritet, nuk do të mund të jetë e tillë nëse Kosova nuk, le të themi… nuk cilësohet si konstruktive. Mirëpo, ne jemi shumë konstruktivë, përveç që jemi të përkushtuar dhe kreativë”, tha Kurti.