Kurti flet për Raportin e KE-së për Kosovën: Shënuam progres në shumë fusha përkundër krizave globale

19:08 | 12 October 2022

Komisioni Evropian ka publikuar Raportin për Kosovën, për vitin 2022.

Në një konferencë për media bashkë me shefin e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomáš Szunyog, kryeministri Albin Kurti ka thënë se ky është raporti i plotë që përfshinë qeverisjen njëvjeçare të LVV-së.

“Vendi ynë ka shënuar progres në shumë fusha përkundër krizave globale, që nga pandemia te kriza energjetike. Raporti përgëzon Kosovën për qëndrueshmërinë politike. Stabiliteti është kusht për reforma afatgjate. Prandaj edhe këtë vit janë ndërmarrë reforma që kanë qenë kërkesa të Bashkimit Evropian që një kohë të gjatë, por që nuk janë realizuar nga qeveritë paraprake”.

Kurti ka përmendur si reforma të suksesshme, ligjin për partitë politike, ligjin e ushqimit e tjera.

Ai ka përmendur aksionet policore në luftën kundër krimit dhe narkotikëve.

“Lufta kundër korrupsionit dhe qeverisje e mirë pa skandale e kanë ngritur Kosovën në indekset ndërkombëtare”.

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka thënë se këtë vit kanë intensifikuar angazhimin sa i përket liberalizimit të vizave ku ka përmendur një raport të detajuar që i kanë dërguar në muajin gusht Komisionit Evropian, i cili sipas tij, tregon progresin e Kosovës në sundim të ligjit, luftën kundër korrupsionit dhe menaxhimin e migrimit.

Kurti ka thënë se tani janë bashkërendim me presidencën çeke të Këshillit duke theksuar se kjo çështje është edhe prioritet i tyre.

“Arritjet tona janë konfirmuar nga KE dhe mirëpritur nga të gjitha vendet anëtare të Këshillit dhe kemi arritur të futemi në agjendë të grupit punues për viza, format i Këshillit të Bashkimit Evropian pas më shumë se katër vitesh. Jemi të bashkërenduar me presidencën çeke të këshillit meqë kjo temë është prioritet i tyre, ne do të punojmë ngushtë me të gjitha shtetet përkrahëse dhe jemi në koordinim për hapat e radhës. Ndërkohë kemi filluar përgatitjet për ë dorëzuar aplikacionin për anëtarësim në Bashkim Evropian si hap i parë e me synim marrjen e statusit kandidat. Kosova është vend evropian me vlera e orientim evropian, me politikë të jashtme të linjëzuar me Bashkimin Evropian mbi gjashtë vite zbatojmë Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit, kjo na bën të besojmë se përmbushim çdo kriter teknik për të fituar statusin e vendit kandidat”, ka thënë Kurti.

Ndryshe, Komisioni Evropian në raportin e sotëm të progresit, përsëritet qëndrimin i mëparshëm, se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave, ndërsa kërkohet që Këshilli i BE-së të merret me urgjencë me këtë çështje.

Komisioni Evropian miraton çdo vit paketën e zgjerimit dhe raportet e progresit për secilin nga vendet e përfshira në këtë proces.

Vendet e Ballkanit Perëndimor ndodhen në faza të ndryshme në procesin e zgjerimit.

Bosnje e Hercegovina ka aplikuar për anëtarësim në BE, por akoma nuk ka marrë mendim pozitiv nga Komisioni Evropian për dhënien e statusit të vendit kandidat.

Kosova është i vetmi vend i rajonit të Ballkanit Perëndimor, i cili nuk ka aplikuar ende për anëtarësim në BE.

Komento: