Kurti: FSK-ja po përgatitet për misionin në Gazë

09:15 | 09 Prill 2026
kurti:-fsk-ja-po-pergatitet-per-misionin-ne-gaze

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se bashkërendimi i ngushtë me partnerët strategjikë të Kosovës është më i rëndësishëm se kurrë. E ka theksuar këtë, me rastin e transferimit të autoritetit të drejtorit të Ekipit Këshillues dhe Ndërlidhës (NALT) të NATO-s në Kosovë. E, në një takim me drejtoren e NATO-s për Operacione, Charlotte Hallengren, ka bërë të ditur se FSK-ja aktualisht është duke u përgatitur për misionin në Gazë, si pjesë e Forcës Ndërkombëtare Stabilizuese.

Ai ka thënë se Kosova ka ndërtuar institucionet e saj të sigurisë mbi bazën e bashkëpunimit të ngushtë dhe të qëndrueshëm me NATO-n dhe shtetet e saj anëtare dhe ka theksuar se Forca e Sigurisë e Kosovës është sot një institucion profesional, i besueshëm dhe në zhvillim të vazhdueshëm, dhe, sipas tij, ky progres është rezultat i përkushtimit të brendshëm, por edhe i mbështetjes së palëkundur të partnerëve.

Në njoftim, Kurti është cituar të ketë thënë se FSK-ja ka demonstruar performancë të lartë në misionet ndërkombëtare, përfshirë bashkëzbarkimet në Kuvajt, Belize dhe Ishujt Falkland, si dhe misionin në Turqi, dhe ka bërë të ditur se aktualisht është duke u përgatitur për misionin në Gazë, si pjesë e Forcës Ndërkombëtare Stabilizuese.

Në njoftim është bërë e ditur se drejtorja e NATO-s për Operacione, Hallengren, ka vlerësuar lart vendimin për angazhimin e FSK-së në misionin stabilizues në Gazë.

Kosova është zotuar se do të dërgojë trupa në këtë vend të shkatërruar nga lufta në kuadër të Forcës Ndërkombëtare Stabilizuese (FNS), mekanizëm që është paraparë të formohet me themelimin e Bordit të Paqes – nismës së presidentit amerikan, Donald Trump për arritjen e paqes në botë.

Krahas vendimit për dërgimin e trupave në Gazë, Kuvendi duhet të miratojë edhe marrëveshjen për anëtarësimin e Kosovës në këtë mekanizëm.

Komandanti i Forcës Ndërkombëtare Stabilizuese, Jasper Jeffers, ka bërë të ditur se Kosova është në mesin e pesë shteteve të para – përfshirë Indonezinë, Marokun, Kazakistanin dhe Shqipërinë – që janë zotuar se do të angazhojnë trupa, me qëllim të ofrimit të sigurisë në Gazë.

Komento: