Sot janë bërë katër muaj që kur presidenti i Kosovës ia kishte kthyer letrën presidentit të SHBA-së, Donald Trump.
Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka rikujtuar letrën që presidenti Hashim Thaçi, i kishte dërguar presidentit të SHBA-së, Donald Trump, ku ia kishte bërë të ditur se ishte gati që të bënte çfarë kompromisi të nevojshëm për të arritur një marrëveshje në mes të Kosovës e Serbisë.
Përmes një shkrimi në Facebook, Kurti ka thënë se presidenti Hashim Thaçi ka sabotuar kështu veten.
“Katër muaj u bënë sot nga letra të cilën Presidenti i Kosovës ia dërgoi Presidentit të ShBA-ve, z. Donald Trump. Paragrafi 3 ishte interesant aty, andaj le ta përkujtojmë: “Më lejoni t’ju siguroj personalisht se si President i Kosovës unë do të jem i gatshëm dhe i vullnetshëm të bëj kompromiset e nevojshme për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe të balancuar…”, ka shkruar Kurti.
Sipas tij, Thaci ka gatishmëri e vullnet që të bëjë kompromiset e nevojshme.
“Pra, edhe i gatshëm edhe i vullnetshëm për kompromiset e nevojshme! Jo vetëm i gatshëm, por edhe i vullnetshëm. Jo ndonjë kompromis, por kompromiset e nevojshme. Me këso gatishmërie e dëshire nuk mund të ketë dialog e marrëveshje, por veçse pazar (personal) për kapitullim (shteti). Kur je tepër fleksibil karshi Serbisë, kjo tashmë nuk paraqet më fleksibilitet, por nënshtrim e dorëzim. Rrjedhimisht, nuk mund të ketë dialog me këso gatishmërie e vullneti paraprak për kompromiset e nevojshme”, shtoi ai.
Tutje, Kurti ka shkruar se dialogu nuk mund të bëhet nga ekstremistët.
“Dialog nuk mund të bëjnë ekstremistët. Dhe, ekstremist nuk është vetëm ai që a priori nuk do dialog, por edhe ai që a priori do marrëveshje. Pra, ekstremist është pikërisht ai që pranon gjithçka duke kërcyer te ujdia pa negociata fare. Me këtë ekstremizmin e tij, Presidenti i Kosovës sabotoi vetveten. Sepse me servilizëm kaq të sforcuar s’mund t’i pëlqesh dot askujt”, shtoi ai.
“Megjith këtë Presidenti ka dashur të na e bashkojë Luginën me Kosovën? E kam dëgjuar në konferenca shtypi në Prishtinë, nuk e pashë në këtë letrën e 8 janarit që ia nisi Presidentit Trump në Ëashington D.C”, përfundoi Kurti.