
Kanë kaluar gati 48 orë prej kur është ndërprerë për herën e fundit vazhdimi i seancës konstituive të legjislaturës së 11-të të Kuvendit të Kosovës.
Në një aktgjykim të qershorit 2025, Gjykata Kushtetuese ka dhënë si afat 30 ditë nga certifikimi i rezultatit të zgjedhjeve që të thirret dhe të konstituohet Kuvendi.
Pra rrjedhimisht, vazhdimi i seancës konstituive do duhej të ndodhte sot para orës 12:20, pasi që përafërsisht në këtë orë ishte ndërprerë vazhdimi i seancës të mbajtur më 08.08.2026.
Për moskonstituimin e Kuvendit, dhe mos thirrjen e seancës sot janë pyetur kryeministri në detyrë, Albin Kurti, dhe ministri në detyrë i Jashtëm, Glauk Konjufca, shkruan Reporteri.net.
Kurti ka zgjedhur të hesht sot kur është pyetur nga gazetarët pse nuk po konstituohen institucionet.
“Jemi në konferencën e Ambasadorëve sot, për gjëra të tjera flasim tjera herë”, ka deklaruar Kurti.
Ndërsa, Konjufca ka thënë se i takon Kryesuesit të seancës, Avni Dehari, se kur e thërret seancën, por ka pohuar se besoj se së shpejti do ta bëjë një gjë të tillë.
“Kur do të thirret seanca nuk mund ta caktoj unë. Kjo i përket Kryesuesit të seancës, besoj se së shpejti do të shkruaj”, ka deklaruar ai.
I pyetur nga gazetarët se a po shkelet Kushtetuta me mosthirrjen e seancës, Konjufca tha se nuk mendon se po ndodh një gjëe tillë.
“Nuk mendojmë se është shkel Kushtetuta. Ai që mendon se është shkel Kushtetuta, le t’i drehtohet Gjykatës Kushtetuese, thjesht se po zgjatë më shumë se një ditë themelimi i seancës konstituive. Nuk mendoj që është dramatike situata qysh po e interpreton opozita. Është pjesë e formësimit të mëtutjeshëm konstitucional të vendit tonë”, deklaroi ai.
Ndërkaq kur u pyet nga gazetarët se aktgjykimi i vitit 2025 thotë se Kuvendi duhet të konstituoohet brenda 30 dite pas certifikimit të rezultateve, Konjufca tha se “nëse nuk mundemi çka bëhet”.
“Unë mendoj se thjesht mund të zgjasë më shumë se një ditë”, tha Konjufca.
Kujtojmë se pas konstituimit të Kuvendit, nis automatikisht afati prej 60 ditësh për zgjedhjen e Presidentit ose Presidentes së Republikës.