Kosova vazhdon të përballet me një papunësi të madhe.
Zyra e Kryeministrit ka njoftuar se kryeministri Albin Kurti ka ftuar disa kompani amerikane që të investojnë në Kosovë, por s’është treguar se për cilat kompani bëhet fjalë, shkruan Reporteri.net.
Në njofitmin e ZKM’së, thuhet se Kurti zhvilloi sot një takim virtual me Joshua Bolten, kryeshef Ekzekutiv i Business Roundtable dhe i bëri ftesë që të investojnë në Kosovë.
“Pëmes këtij takimi u bë ftesë që ndërmarrjet amerikane ta konsiderojnë Kosovën në strategjinë e tyre të zgjerimit dhe planet e tyre për kontraktim të shërbimeve nga jashtë”
“Zhvillimi ekonomik dhe përparimi demokratik u veçuan nga kryeministri Kurti si arsye pse Kosova ofron një mundësi të artë për investime të reja”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit.
Sipas njoftimit, Kurti theksoi gjatë bisedës me Bolten, angazhimin e Qeverisë në avancimin e parimeve demokratike dhe përparimin në luftimin e krimit dhe të korrupsionit, që është pasqyruar në ngritjen e Kosovës për 17 vende sipas indeksit të perceptimit të korrupsionit të Transparency International, dhe renditjen si të parët në rajon sipas “World Justice Project”.
“Kryeministri Kurti tha se me popullatën e re dhe profesionale që ka Kosova, shtrirjen më të gjerë të internetit në Evropë, potencialin e dëshmuar në fushën e Teknologjisë së Informacionit dhe me qeverinë që mbështet këtë sektor, Kosova synon që të bëhet qendra e radhës e kësaj fushe në Evropën Juglindore. Në takimin e përbashkët me Shefin e stafit të Kryeministrit, Luan Dalipi, u diskutuan mundësitë që Business Roundtable të jetë urë lidhëse ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe ndërmarrjeve amerikane”, thuhet në njoftim.