Kreu i Qeverisë së Kosovës, Albin Kurti, në mbledhjen e fundit të Qeverisë për këtë vit, ka zgjedhur që të flasë për ato që i konsideron suksese të ndodhura gjatë qeverisjes së tij në vitin 2024. Kurti e ka renditur si të parin procesin e liberalizimit të vizave dhe njohjen e pasaportës së Kosovës, duke thënë se është në top 10 pasaportat më të fuqishme për këtë vit.
“Së pari liberalizimi i vizave nga BE, Tajnalnda, Emiratet, Tajvani dhe njohja e pasaportës nga dy shtete mosnjohëse Spanja e Armenia. Viti 2024 ka qenë viti i pasaportës tonë. Sivjet është në mesin e top 10 pasaportave të botës”, ka thënë Kurti.
Si sukses të dytë dhe të tretë Kurti e ka numëruar regjistrimin dhe inkasimin e rrymës në Veri dhe përfundimin e procesit të konvertimit të patentë shoferëve ilegalë.
Tutje Kurti ka përmendur edhe shkëputjen nga blloku energjetik me Serbinë, Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut dhe bashkimin me bllokun energjetik bashkë me Shqipërinë.
“Pas shkëputjes nga blloku energjetik me Serbinë, Malin e Zi dhe Maqedoninë e veriut dhe bashkimin me bllokun energjetik me Shqipërinë, inaugurimi i bursës Alpex është arritja tjetër më e madhe në pavarësimin tonë energjetik dhe në bashkëpunimin tonë kombëtar”, ka thënë Kurti.
Tutje në fjalën e tij ka përmendur edhe shëndetësinë, rritjen e pensioneve e pagave, regjistrimin e popullsisë dhe marrëveshjen për fabrikën e municioneve.
“Shëndetësia publike është bërë më e lirë dhe me më shumë shërbime.
Pensionet janë rritur për 20 %. Kemi dyfishuar dhe trefishuar shtesat për fëmijë. Pas 13 viteve, kemi pagë të re minimale. Kemi funksionuar institutin për krimet e kryera gjatë luftës. Ka përfunduar me sukses regjistrimi i popullsisë, ekonomive familjare e banesave.
Krahas rritjes së numrit të u ushtarëve dhe fuqizimit të ushtrisë e blerjes së armatimeve, bëmë edhe një hap duke nënshkruar kontratë me prodhuesin turk për funksionalizimin e fabrikës së municioneve”, është shprehur Kurti.
Pas kësaj, Kurti ka kërkuar nga ministrat e kabinetit të tij që t’ua tregojnë qytetaërve nga 5 suksese të tyre që i kanë arritur gjatë këtij viti.
“Une sot i listova vetëm dhjetë. Ka shumë rezultate të tjera që mund të ishin e qe s’janë në këtë listë. Për t’u bërë drejtësi edhe për to, ju ftoj secilin prej jush, te ndani me qytetarët tanë 5 rezultatet kryesore të punës suaj për vitin 2024”, ka thënë Kurti./GazetaExpress/