
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti i është përgjigjur, kreut të AAK-së, Ramush Haradinajt, i cili në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës, foli për dy aksionet e Policisë në Veriun e Kosovës, duke thënë se këto aksione janë bërë me qëllim që të dorëzohet veriu i Kosovës.
Kurti, në seancën e Kuvendit të Kosovës, ka thënë se në veri të Mitrovicës nuk ka pasur asnjëherë më shumë rend e ligj sesa sot.
Ai ka thënë se veriu ka qenë i rrezikuar në vitin 2018, kur Haradinaj priste në takim kriminelë serbë. Tutje, Kurti është shprehur se deklaratat e Haradinajt janë sulm mbi moralin e Policisë së Kosovës.
“Në veri të Ibrit ka më shumë rend e ligj tani e sot se kurdoherë tjetër nga shpallja e pavarësisë. Asnjë barrikadë nuk ka në veri të Kosovës. Veriu ka qenë i rrezikuar atëherë kur deputeti Haradinaj e priste në zyre kriminelin. Rreziku ka qenë nga marrëveshjet xhentëlmene me kriminelë. Kjo ka ndodhur publikisht në korrik të vitit 2018. Fjala e deputetit Haradinaj është sulm mi moralin e Policisë së Kosovës. Por, kot e keni, morali i Policisë së Kosovës është shumë i lartë. Kurrë morali i tyre nuk ka qenë më i fuqishëm.
Kriminelët në veri, strukturat ilegale kurrë nuk kanë qenë më të frikësuara se tani. Mos ma kini frikën mua, nuk dorëzohet veriu”, u shpreh Kurti në seancën e Kuvendit.