Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një takim që ka pasur me Presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e cila po qëndron në Prishtinë, ia ka bërë të ditur se Kosova në fund të këtij viti do të aplikojë për në BE.
Kështu thuhet në një komunikatë dërguar nga Zyra e Kryeministrit, duke shtuar se kryeministri Kurti bisedoi me shefen e Komisionit Evropian edhe për vizat.
“Sa i përket rrugës së Republikës së Kosovës drejt Bashkimit Evropian, Kryeministri Kurti tha se Kosova do të aplikojë për anëtarësim në Bashkimin Evropian para përfundimit të këtij viti. Ky vendim vjen si rezultat i orientimit politik dhe vleror sa i Qeverisë ashtu edhe i qytetarëve të Republikës të cilët mbështesin masivisht dhe plotësisht integrimin në BE”, thuhet ndër të tjera në njoftim.
Kurti vazhdon të insistojë se Kosova duhet të aplikojë sivjet në BE, përkundër se akterë të unionit evropian janë shprehur pesimist për mundësinë që vendi t’i bashkohet BE-së.
Shefi i ekzekutivit kosovar, sipas Zyrës së Kryeministrit, po ashtu përmendi edhe 75 milionë eurot e BE-së për ballafaqimin me krizën energjetike, për të cilin i është shprehur falënderues shefes së Komisionit të BE-së.
Pas takimit, Kurti dhe von der Leyen vizituan së bashku objektin e Fakultetit të Arkitekturës. Falë financimit të Bashkimit Evropian, objekti tani ka një sistem të ri të ngrohjes qendrore.