
Çështja e dorëheqjeve të gjyqtarëve serbë në veri të vendit ka rikthyer përplasjet mes pushtetit ekzekutiv dhe institucioneve të drejtësisë. Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, dhe ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, kanë kërkuar sot nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) që të zyrtarizojë largimin e gjyqtarëve që dhanë dorëheqje në vitin 2022.
Në hapje të mbledhjes së Qeverisë, kryeministri Kurti deklaroi se dorëheqjet e zyrtarëve serbë ishin një akt sabotues ndaj shtetit dhe se nuk ekziston asnjë bazë ligjore apo kushtetuese për rikthimin e tyre në pozita.
“Kishim të drejtë politike t’iu thoshim mos shkoni, por s’kemi të drejtë kushtetuese e ligjore t’iu themi kthehuni. Largimi i tyre ka qenë akt politik, individual, ndonëse i organizuar, po kthimi është çështje ligjore dhe kushtetuese. Nuk mund të ketë kthim që i mbivendoset Kushtetutës e ligjit”, u shpreh Kurti.
Kreu i ekzekutivit shprehu keqardhjen që mbledhja e sotme e KGJK-së dështoi në mungesë kuorumi, ndërsa kërkoi nga ky organ që të veprojë ngjashëm me Këshillin Prokurorial të Kosovës (KPK) dhe Policinë e Kosovës, të cilat tashmë i kanë trajtuar këto dorëheqje.
Deklaratat e Kurtit erdhën në të njëjtën linjë me ato të u.d. presidentes Albulena Haxhiu. Në një konferencë për media nga Presidenca, Haxhiu i kërkoi hapur KGJK-së që t’i dërgojë propozimet për lirim nga detyra të gjyqtarëve serbë, në mënyrë që ajo t’i dekretojë ato.
Sipas saj, ky është një obligim ligjor që institucioni i drejtësisë duhet ta zbatojë.
Këto kërkesa të krerëve të shtetit vijnë përkundër thirrjeve të përsëritura nga Bashkimi Evropian, i cili ka kërkuar që të mos ushtrohet presion mbi vendimmarrjen e pavarur të Këshillit Gjyqësor.