Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në Ditën e Bashkimit Evropian Kundër Trafikimit, ka thënë se luftimi i këtij krimi është urgjent dhe i domosdoshëm dhe se institucionet duhet të jenë të pa kompromis në luftimin e kësaj dukurie.
I pari i qeverisë po ashtu ka thënë se detyrë e Qeverisë mbetet luftimi e adresimi i arsyeve kryesore të trafikimit, sikurse që janë varfëria, zhvillimi i dobët ekonomik, niveli i ulët i edukimit dhe i vetëdijes.
“Vetëm këtë vit kemi 15 viktima të trafikimit, 14 prej të cilave janë vajza, prej të cilave 11 nën moshën 18 vjeçare. 11 nga viktimat janë shfrytëzuar në prostitucion të detyruar, 3 për punë të detyruar dhe 1 për kërkim-lëmoshë.
Si numra mund të mos duken shumë, por pas këtyre numrave kemi emra e mbiemra, kryesisht fëmijë, vajza e djem të ri. Prandaj, luftimi i këtij krimi është urgjent dhe i domosdoshëm.
Trafikimi i qenieve njerëzore përbën shkelje të dinjitetit dhe të lirive themelore të njeriut, është shkelje e rëndë e të drejtave të njeriut dhe shkelje e Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe të Lirive Themelore të Njeriut.
Eliminimi është i vështirë, por angazhimi i Qeverisë së Kosovës është që të bëjë përpjekje maksimale në plotësimin e të gjitha standardeve që kërkohen. në fushën e luftimit të trafikimit me qenie njerëzore. Gjithashtu duke adresuar edhe rekomandimet e raporteve të ndryshme, e që, kryesisht, bëjnë thirrje për hetim dhe dënim të merituar për trafikantët, por dhe për zyrtarët e përfshirë në trafikim.
Institucionet duhet të jenë të pa kompromis në luftimin e kësaj dukurie. Viktimat janë vendëse e të huaja, të cilat trafikohen me premtime për martesë e punësim, si valltare dhe këngëtare, dhe i detyrojnë ato për trafikim seksual në shtëpi, apartamente private, klube nate e sallone masazhi.
Detyrë e jona si Qeveri mbetet luftimi e adresimi i arsyeve kryesore të trafikimit, sikurse që janë varfëria, zhvillimi i dobët ekonomik, niveli i ulët i edukimit dhe i vetëdijes. Për këtë, si Qeveri e Kosovës, kemi projekte e plane konkrete të investimit në ekonomi dhe në edukim, por edhe mbrojtje e siguri për të gjithë, e në veçanti për grupet më të cenueshme, si: fëmijët, komunitetet e margjinalizuara të romëve, ashkalinjve dhe egjiptianëve, personat LGBTQI+, migrantët, azilkërkuesit e refugjatët, të cilët janë në rrezik më të madh ndaj trafikimit”, tha Kurti në fjalën e tij.