Kurti kërkoi njohje reciproke nga Serbia në Athinë

09:26 | 22 Gusht 2023
kurti-kerkoi-njohje-reciproke-nga-serbia-ne-athine

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në darkën joformale të djeshme në Athinë, i ftuar nga kreu i qeverisë greke Kyriakos Mitsotakis, ka kërkuar sërish njohje reciproke.

Siç thuhet në njoftimin e Qeverisë së Kosovës, Kurti ka theksuar se të gjitha vendet që aspirojnë anëtarësimin në Bashkimin Evropian duhet t’i përmbahen demokracisë, sundimit të ligjit, respektimit të të drejtave të njeriut dhe marrëdhënieve të mira fqinjësore.

“Kushti për fqinjësi të mirë është njohja reciproke, ‘de jure’ dhe ‘de facto’. Gjithmonë do të ketë një pakicë, por duhet simetri dhe ekuilibër në respektimin e pakicave bazuar në Konventën Kuadër për Mbrojtjen e Pakicave Kombëtare. ”, ka theksuar Kurti.

Ai deklaroi se në darkë u diskutua për luftën në Ukrainë, ku, shton ai, u theksua mbështetja e palëkundur për pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës, si dhe përgjegjësinë dhe dënimin për krimet e kryera gjatë luftës dhe mizoritë e tjera kundër civilëve.

Në këtë mbrëmje, me rastin e 20-vjetorit të Samitit të Selanikut, ku u prezantua perspektiva e anëtarësimit të plotë të të gjithë Ballkanit Perëndimor, u përsërit mbështetja për zgjerimin dhe anëtarësimin në Bashkimin Evropian, thuhet në komunikatë.

Në fund të takimit u miratua një deklaratë e përbashkët që bën thirrje për rifillimin dhe fokusimin në procesin e zgjerimit të Bashkimit, si dhe mbështetjen e palëkundur për pavarësinë e Ukrainës dhe dënimin e krimeve të kryera gjatë luftës dhe vënien në përgjegjësi të atyre që kanë kryer krime./FrontOnline/

 

Komento: