Kurti kërkon Ligj të ri për Specialen: Grupi Punues ta sjellë draftin në javën e ardhshme

13:41 | 19 Nëntor 2026

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kërkuar hartimin e një draftligji të ri për Dhomat e Specializuara të Kosovës, duke thënë se ai pritet të jetë i gatshëm javën e ardhshme.

Duke folur për rishqyrtimin e Ligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara, Kurti tha se iniciuesit e ligjit paraprak kishin pasur qëllime të mira, por se ai nuk mjafton për të arritur rezultate konkrete.

“Na duhet një ligj që nuk kthehet mbrapsht, nuk anulohet, por një ligj që ka efekt në praktikë”, deklaroi Kurti.

Ai bëri të ditur se javën e ardhshme pritet të prezantohet edhe drafti i parë i Strategjisë nga Grupi Punues, ku janë të përfaqësuara institucionet relevante dhe partitë politike, me ndihmën e ekspertëve juridikë.

Kurti foli edhe për qëndrimin e tij ndaj Gjykatës Speciale, duke thënë se ai nuk ka ndryshuar që nga pranvera e vitit 2015.

Ai e cilësoi këtë gjykatë si të pazakonshme, duke pretenduar se herë sillet si gjykatë vendore e herë si tribunal ndërkombëtar, ndërsa e quajti monoetnike dhe me mungesë transparence.

Kryeministri u ndal edhe te aktgjykimi i 16 shtatorit ndaj ish-krerëve të UÇK-së, të cilët u dënuan me gjithsej 81 vjet burgim.

Ai tha se në procedurën e apelit duhet të trajtohet edhe çështja e ndërmarrjes së përbashkët kriminale, për të cilën pretendoi se krijon një strukturë paralele me Shtabin e Përgjithshëm të UÇK-së.

“Ne jemi të bindur që korrigjimi i aktgjykimit të 16 shtatorit duhet të ndodhë dhe do të ndodhë në shkallën e dytë, në apel. Dhe kjo do të jetë diku në vitin 2027”, u shpreh Kurti.

Ai shtoi se pakënaqësia me aktgjykimin kishte nxitur edhe hartimin e shpejtë të ligjit paraprak, për të cilin, siç tha, kishte shprehur rezerva.

Reklamë

Deklarata e plotë:

Pika e 11-të e rendit të ditës së seancës paraprake ishte rishqyrtimi i Ligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara. Më lejoni të them disa gjëra të rëndësishme lidhur me këtë çështje jetike për të ardhmen tonë, por edhe për vetë shtetësinë e Republikës aktualisht.

Së pari, unë, si kryeministër i Kosovës dhe si kryetar i VV-së, nuk kam ndryshuar fare qëndrim për Dhomat e Specializuara apo Gjykatën Speciale që nga pranvera e vitit 2015. Mendimi dhe qëndrimi im është i njëjtë. Konsideroj që kjo Gjykatë Speciale është e pazakonshme, aq e pazakonshme saqë edhe termi sui generis duket i ngushtë. Herë sillet si gjykatë vendore e herë si tribunal ndërkombëtar. Është gjykatë monoetnike me mungesë transparence.

Iniciuesit e Ligjit për Dhomat e Specializuara besoj që kanë pasur qëllime të mira. Ka ardhur edhe nga indinjata e thellë dhe zhgënjimi me aktgjykimin e 16 shtatorit.

Dhe rezultoi me një dënim shumë të lartë prej 81 vjetësh burgim për katër ish-krerët e UÇK-së. Natyrisht që duhet ta përmendim se ku janë rrënjët e kësaj Gjykate Speciale.

Në apel duhet të trajtohet e ashtuquajtura ndërmarrje e përbashkët kriminale, që krijon iluzionin e një strukture paralele me Shtabin e Përgjithshëm të UÇK-së. Por, ne jemi të bindur që korrigjimi i aktgjykimit të 16 shtatorit duhet të ndodhë dhe do të ndodhë në shkallën e dytë, në apel. Dhe kjo do të jetë diku në vitin 2027.

Nga pakënaqësia lidhur me atë aktgjykim erdhi edhe shkrimi i shpejtë i atij ligji, për të cilin ne patëm shprehur rezervat tona. Nuk dyshoj në qëllimin e mirë, por nuk mjafton. Duhet të kemi sukses, duhet të dalim fitimtarë. Na duhet një ligj që nuk kthehet mbrapsht, nuk anulohet, por një ligj që ka efekt në praktikë.

Ne presim që javën e ardhshme Grupi Punues për Strategjinë ta sjellë draftin e parë. Ju e dini që në këtë grup janë të përfaqësuara të gjitha institucionet relevante dhe partitë politike. Janë angazhuar edhe ekspertë juridikë për t’i ndihmuar ata. Këta ekspertë po e ndihmojnë Grupin Punues dhe ne e presim strategjinë javën e ardhshme.

Nga disa prej këtyre dhe ekspertë të tjerë, presim që javën e ardhshme të na sjellin draftin e ri të një ligji përkatës për Dhomat e Specializuara.

Komento: