Kurti kërkon takim me LDK-në, por thotë se s’ka kthim për postin e kryeparlamentarit

17:51 | 06 Janar 2020

Albin Kurti kërkon takim sa më të shpejtë me LDK-në.

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, njëherësh kandidati për kryeministër Albin Kurti pas takimi konsultativ me presidentin Hashim Thaçi, ka thënë se diskutimi disa minutash mes tyre ishte pa efekte juridike dhe se pas mbledhjes së kryesisë së partisë do të dërgojnë emrin e mandatarit për qeverinë e re.

Krahas kësaj, Kurti kërkoi sa më shpejt takim me LDK-në në mënyrë që të formojnë qeverinë e ardhshme pas zgjedhjeve të 6 tetorit.

Por mbi mundësitë e kompromiseve të reja, Kurti theksoi se nuk ka kthim mbrapa për postin e kryeparlamentarit, pas konstituimit të Kuvendit të Kosovës, dhe se çështja e postit të presidentit duhet të lihet për më vonë.

“Ky ishte një takim i shkurtër konsultativ, pa efekte juridike…në këtë takim disa minutash unë dëgjova presidentin, ku shprehu interesimin e tij për formimin sa më të shpejt të Qeverisë së Kosovës. Por njëkohësisht tha se e di që iu nevojitet një kohë e caktuar për këtë gjë. Gjithashtu kërkoi që ne të bëjmë propozimin. Në bazë të Kushtetutës së Kosovës dhe aktgjykimit siç e kemi lexuar ne është e nevojshme që këtë të bëjmë me një shkresë me shkrim.

Prandaj për këtë kërkesë të presidentit, unë do të raportoj në kryesi të VV-së dhe sa më parë që mundemi do t’ia sjellim presidentit propozimin tonë për kryeministrin e ardhshëm”, tha ai.

Duke shprehur optimizmin e tij për marrëveshje me LDK-në, Kurti tha se për të, takim do të kishte qysh ditën e djeshme dhe sot.

“Unë dua që sa më parë të takohemi bashkë me LDK dhe të fillojmë të fazën e re të përmbylljes së këtyre bisedimeve në mënyrë që të kurorëzojmë marrëveshjen e një koalicion që e ka dashur populli më 6 tetor. Për mua takim mund të kishim qysh dje, qysh pardje, edhe sot vazhdimisht jemi në komunikim. Unë përherë kam pritur dhe kam insistuar për takime sa më të shpeshta sepse nuk bëhet marrëveshja shpejt pa takime të shpeshta… Kurdo që ata janë të gatshëm unë jam në kontakt me ta. Mos të keqkuptohemi, fakti që nuk kemi pasur takim, nuk do të thotë që nuk jemi në komunikim dhe unë do të komunikoj sërish qysh sot, se kur do të kemi takimin e radhës”, tha Kurti.

Kryetari i VV-së i hodhi poshtë gjitha zërat për shkarkimin e Glauk Konjufcës si kryeparlamentar, pasi tha se në marrëveshjen me LDK-në nuk do të ketë kthim prapa.

“Tash, ne nuk mundemi të kthehemi mbrapsht para 26 dhjetorit, ashtu siç nuk mund të kthehemi mbrapsht as para 6 tetorit, as para ofertës sime para datës 4 shtator. Koha kalon, edhe unë do të dëshiroja të isha nja 10 vite më i ri, por kjo nuk është e mundur…Tash duhet të takohemi dhe të bisedojmë në mënyrë që harmonizimin tonë programor ta zgjerojmë edhe me ndarjen e ministrive”, tha Kurti.

Për propozimet e emrave të ministrave që e bëri gjatë ditës sotme, Kurti tha se kjo ka qenë e nevojshme, pasi qytetarët duhet t’i dinë emrat e tyre.

“Unë besoj që qytetarët e Kosovës nuk duan të dinë më se kush cilat ministri i morri, ose si morri. Por duan të dinë emrat e njerëzve profesionist të devotshëm, patriot e të ndershëm të cilët do të shërbejnë për popullin në përputhje me vullnetin që është shprehur më 6 tetor dhe në bazë të programit qeverisës që e kemi dakorduar… Unë nuk i kam caktuar asnjë ministër nga LDK, i kam lënë vendet e zbrazëta për ta në kuadër fazës paraprake të negociatave që kemi bërë. Mund të them që kam shprehur dashamirësinë, por edhe vendosmërinë që të ecim përpara”, u shpreh Kurti.

Pretendenti për kryeministër edhe një herë tha se posti i presidentit duhet të diskutohet më vonë dhe jo tani sikurse kërkon LDK-ja.

“Për bindjen time të fuqishme më mirë do të ishte që çështjen e presidentit të diskutojmë kur t’i vije koha edhe pasi të kemi qeverisur së bashku”, tha Kurti.

Për mundësitë e zgjedhjeve të reja, Kurti tha se nuk i dëshiron ato, por nëse imponohen, atëherë janë të gatshëm, pasi sipas tij partia e tij nuk ka partner tjetër përveç LDK-së, derisa theksoi se qeveria e pakicës nuk është njëra prej opsioneve të tij.

Komento: