Kurti: Këtë javë aplikojmë për anëtarësim në BE sepse vendi i Kosovës natyrshëm është aty

11:28 | 13 Dhjetor 2022

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës që po mbahet sot ka folur për vendimin e Kosovës që këtë javë të aplikojë për statusin e vendit kandidat në Bashkim Evropian.

Kurti ka thënë se ka ardhur koha për nga pozita e statusit potencial për kandidat të kalohet në statusin e vendit kandidat duke vendosur kështu raporte të reja me Bashkimin Evropian.

“Ka ardhur koha që statusin potencial për kandidat që na është njohur shumë kohë më parë, ta kthejmë në status kandidat duke kaluar në një fazë të re të raporteve me BE-në. Kjo është në përputhje me aspiratat e qytetarëve që besojnë se e ardhmja jonë është BE-ja”, ka thënë Kurti, raporton Express.

Kreu i ekzekutivit ka thënë se aplikimi i Kosovës është përgjigje ndaj Samitit të Selanikut të vitit 2003 dhe thirrjes nga Samiti i fundit në Tiranë për anëtarësim të përshpejtuar.

“Para një jave në Samitin e Tiranës në deklaratën e përbashkët, BE bëri thirrje për proces të përshpejtuar të anëtarësimit.

Andaj aplikimi ynë është përgjigje ndaj premtimit që BE-ja i ka dhënë për anëtarësim rajonit nga Samiti i Selanikut në vitin 2003, por edhe për përgjigje direkte ndaj thirrjes në Samitin e Tiranës”, ka shtuar kryeministri Kurti.

Numri një i Qeverisë së Kosovës ka thënë se Kosova krahasuar me shtetet tjera kur kanë aplikuar është më e përgatitur. Kurti ka thënë se Kosova natyrshëm e ka vendin në BE.

“Krahasuar me shtetet e tjera kur kanë aplikuar, Kosova është më e përgatitur. Kosova e ka vendin natyrshëm në BE si vend paqedashës e demokratik”, ka thënë Kurti.

Komento: