Kurti komenton paraqitjen e Thaçit në OKB, thotë se ka dalur nga vetmia e madhe dimërore

10:45 | 18 Dhjetor 2018

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje ka komentuar paraqitjen e presidentit Hashim Thaçi mbrëmë në këshillin e Sigurimit të OKB-së.

Sipas Kurtit, në fjalimin e tij të mbrëmshëm Thaçi tregoi se ka dalur nga vetmia e madhe dimërore.

Postimi i tij i plotë i Albin Kurtit

Të gjithë njerëzit e presidentit

Në fjalimin e tij të mbrëmshëm në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, Thaçi tregoi se ka dalur nga vetmia e madhe dimërore.

Ai tha: “Në Kosovë, ne mbetemi të vendosur për paqe dhe dialog me Serbinë. Për këtë qëllim, Kuvendi i Kosovës javën e kaluar miratoi rezolutën për dialog dhe strukturën e ekipit negociator, me përfshirje pozitë-opozitë dhe shoqëri civile.”

Për të vazhduar me: “Ne jemi gati për dialog. Ne jemi gatipër vendime të vështira. (…) E di që nuk do të jetë aspak e lehtë. E di se marrëveshjet e kësaj natyre nuk janë shumë popullore. Por, ato janë të domosdoshme. (…) Me një marrëveshje paqësore finale Kosovë-Serbi, ligjërisht obliguese, pa kufij në baza etnike, pa shkëmbim popullatash, por me njohje reciproke si vende të pavarura e sovrane e shtete me shoqëri shum etnike.”

Pra, Thaçi po i kthehet gjuhës së verës 2018, para protestës madhështore e masive të 29 shtatorit, po i kthehet kohës kur fliste për ‘kompromis të dhimbshëm’ dhe ‘korrigjim të kufijve’.

Vëreni me kujdes, tash flet sërish për ‘vendime të vështira’dhe kundërshton atë që e quan ‘shkëmbim popullatash’, por nuk flet për integritet territorial dhe nuk kundërshton shkëmbimin territorial dhe as ndarjen e Kosovës.

Votimi i të shtunës mbrëma në Kuvendin e Kosovës mban përgjegjësi historike për rikthimin e Thaçit dhe të pazarit të tij me Serbinë në kurriz të shtetit dhe territorit të Kosovës.

Komento: