
Kryeministri Albin Kurti ka kujtuar ditën e 22 janarit të vitit 1998, kur njësite të policisë së Serbisë, e kryen aksionin e dytë kriminal mbi familjen e Shaban Jasharit në Prekaz të Poshtëm të Drenicës.
I pari i Qeverisë ka përshkruar kronologjinë e ngjarjeve të 22 janarit të vitit 1998, që njihet si sulmi i dytë i forcave të Serbisë mbi kullat e jasharëve të Prekazit.
“Atë ditë të enjte, rreth orës 05:25 të mëngjesit, policë të njësiteve speciale të Serbisë që ishin stacionuar në fabrikën e municionit në Prekaz, nisën një aksion të rrufeshëm mbi shtëpitë e Shaban Jasharit. Duke dashur t’i zinin në befasi, synonin t’i arrestonin apo edhe t’i vrisnin dy djemtë e Shabanit: Hamzën dhe Ademin, por pa e kursyer askënd. Kishte gjashtë muaj që policia e vëzhgonin edhe me kamera 24 orë shtëpinë dhe familjen e Shaban Jasharit, prej nga pothuajse gjithçka ishte planifikuar në shërbim të këtij aksioni, kujton Kurti.
“Kishin menduar t’i shfrytëzonin ditët e muajit të Ramazanit kur agjërohet, për çka kishin sulmuar pak minuta pas syfyrit, kur pas këtij vakti të ngrënies njerëzit janë në gjumë. Në mesnatë e kishin ndërprerë energjinë elektrike dhe linjat telefonike. Kishin mobilizuar njësite speciale të policisë të trajnuara për aksione speciale dhe të armatosura me armë kalibrash të rëndë. Por nuk e kishin planifikuar vetëm një gjë: që Shaban Jashari me familjen e tij nuk dorëzohej, sepse ishte i armatosur edhe me armë zjarri edhe me armët e idealeve të lirisë, të guximit për të luftuar dhe për të jetuar në liri sipas traditave shqiptare”, vijon rrëfimin kryeministri.
“Aksioni filloi me tri predha të hedhura nga distanca: një në dyer të oborrit, një në ahur dhe një në oborr. Pastaj një seri predhash dhe rafale plumbash u shtien në drejtim të shtëpive të Shaban Jasharit, duke ndriçuar në errësirën e atij mëngjesi të hershëm dhe të ftohtë të janarit, në fshatin e terrur pa rrymë elektrike. Ademi nuk ishte aty, kishte qëlluar te daja i tij Osman Geci në Llaushë. Nën dritën e zjarrit të stufës në odë, Shabani me tre nipat e tij, Fitimin (17), Kushtrimin (13) dhe Besimin (16), i mbushën armët dhe nisën të rezistojnë”, shton tutje ai.