Kurti lavdërohet sërish, numëron operacionet kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit

16:31 | 09 January 2023

Kryeministri Albin Kurti postoi në Facebook një shkrim me një fotografi si përmbledhje e punëve të Qeverisë gjatë vitit 2022 në fushën e sundimit të ligjit.

“Qeveria kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit”, e titullon Kurti Ekzekutivin.

Kurti tha se gjatë vitit 2022 u realizuan 854 operacione policore kundër krimit të organizuar dhe kontrabandës.

Ai shtoi se u arrestuan 3202 persona, prej tyre 301 zyrtarë publikë.

Postimi i Kurtit:

2022: Qeveria kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit

Gjatë vitit që lamë pas, kemi vazhduar me zbatimin e ligjshmërisë në gjithë territorin e Republikës:

U realizuan 854 operacione policore kundër krimit të organizuar dhe kontrabandës;

U arrestuan 3202 veta, prej tyre 301 zyrtarë publikë;

Mbyllëm 16 rrugë ilegale në veri të vendit;

Shkatërruam 69 grupe kriminale;

U konfiskuan mbi 1.8 ton substanca narkotike;

Shkatërruam 5 laboratore të drogës në veri të Kosovës, me vlerë qindra milionëshe në substanca dhe në pajisje si dhe 3 laboratore për prodhimin e kriptovalutave, po ashtu në veri;

Mbi 14 milionë euro janë ngrirë nën dyshimin e keqpërdorimeve dhe shpërlarjes së parave;

Janë sekuestruar mbi 300 mijë litra karburante që s’ishin konform me aktet nënligjore;

Ndërtuam 4 objekte dhe stacione policore në veri të Kosovës si dhe bëmë shtrirjen e rrjetit optik në atë pjesë të vendit tonë, duke mundësuar shtrirjen e valëve telefonike, rrjetit të internetit dhe komunikimit me radiolidhje;

Krijuam Njësitin e Ndërhyrjes së Shpejtë të Kufirit, në kuadër të Policisë së Kosovës, i cili angazhohet në luftimin e kontrabandës, trafikimit me qenie njerëzore dhe keqpërdorimeve të tjera përgjatë vijës kufitare.

Komento: