Kurti: Le t’i kalojmë 500 mijë vota, t’ia mbyllim bllokut opozitar shtigjet

14:05 | 21 Maj 2026
kurti:-le-t’i-kalojme-500-mije-vota,-t’ia-mbyllim-bllokut-opozitar-shtigjet

Kreu i Vetëvendosjes, Albin Kurti, në një tubim zgjedhor në Gjilan ka kërkuar nga mbështetësit e tij të tejkalohet rezultati i zgjedhjeve të dhjetorit.

Kurti kërkoi kapërcimin e 500 mijë votave në mënyrë që bllokut opozitar, siç tha ai, t’i mbyllen shtigjet për ta “mbajtur peng shtetin”

“Më 9 shkurt të vitit të kaluar Lëvizja VETËVENDOSJE! i pati afër 400 mijë vota në zgjedhjet qendrore. Më 28 dhjetor arritëm bashkë afër 500 mijë vota. E më 7 qershor le t’i kalojmë 500 mijë vota dhe ta shënojmë fitoren e radhës, edhe më të madhe e vendimtare, që t’i japim shtetit tonë institucione funksionale e t’ia mbyllim bllokut opozitar shtigjet të cilat po i shfrytëzojnë për ta mbajtur shtetin peng”.

Kurti atje tha se “brezave aktualë dhe atyre që do të vijnë pas nesh duhet t’ua lëmë trashëgimi një Kosovë gjithnjë e më të zhvilluar dhe prosperuese”.

“Po ndërtojmë shkollat dhe çerdhet; po investojmë në ushtri, mbrojtje e siguri, me pajisje e armatim, industri dhe prodhim; po e rrisim mbështetjen për fëmijët dhe studentët, nënat lehona dhe të gjitha familjet. Dora e mirë e shtetit po prek aty ku më herët nuk shfaqej dot. 116 është numri, 7 qershori është dita, kur votojmë për progresin shoqëror, rritjen ekonomike dhe sigurinë shtetërore e qytetare”.

Komento: