
Në kazermën “Adem Jashari” është shënuar Epopeja e lavdishme e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke kujtuar sakrificën e familjes së komandantit legjendar Adem Jashari e dëshmorëve të tjerë për liri dhe pavarësi.
Në fjalën e rastit, kryeministri i Kosovës Albin Kurti, tha se “ledhatimi i padrejtësisë nuk e sjellë gjithmonë paqen”.
“Ky vend mban emrin e duhur dhe njerëzit e duhur. Ne e njohim historinë tonë, ne e vlerësojmë historinë tonë, sepse ajo është e dendur në vepra. Ne jemi shumë sepse bartim në mendje emra të shquar. Secili është më shumë se vetvetja. E ajo që jemi më shumë se vetvetja na bënë të gjithëve bashkë. Tani epoka po flet ndryshe. Së pari sepse ne jemi shtet i pavarur dhe kemi ushtrinë tonë. Ne jemi shtet i një shoqërie që synon zhvillimet perëndimore e demokratike. Së dyti, sepse epoka dhe vetëdija po ndryshojnë. Po kuptohet gjithandej se ledhatimi i padrejtësisë nuk e sjellë gjithmonë paqen. Paqja dhe padrejtësia nuk mund të bashkëjetojnë”, deklaroi Kurti.
Më 5,6 dhe 7 mars, Kosova shënon Epopenë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.