Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në një ngjarje të organizuar në Gjilan për përmbylljen e projektit “Maths4talents”, një iniciativë që ofroi trajnime falas për nxënësit e talentuar në lëndën e Matematikës.
Kurti në fjalën e tij, theksoi rëndësinë e Matematikës për zhvillimin intelektual dhe profesional të të rinjve, duke shprehur përkushtimin e Qeverisë për të mbështetur këtë fushë.
“Matematika është ndër lëndët më të bukura, ndonëse shpeshherë perceptohet si ndër më të vështirat,” tha Kurti.
Ai theksoi se Qeveria do ta mbështesë organizimin e Garës Evropiane të Matematikës për vajzat, për të cilën janë ndarë tashmë 200 mijë euro.
“Kjo është një dëshmi e përkushtimit tonë për fuqizimin e edukimit dhe përkrahjen e talenteve,” shtoi ai.
I pari i Qeverisë gjithashtu shprehu mbështetje për aktivitetet e Shoqatës së Matematikanëve të Gjilanit, një organizatë që është jashtëzakonisht aktive në promovimin e Matematikës.
Ai vlerësoi rolin e Matematikës në zhvillimin e logjikës dhe mprehtësisë së mendjes, duke e cilësuar atë si një nga lëndët më të rëndësishme për të ardhmen profesionale dhe intelektuale të fëmijëve.
“Matematika së bashku me Gjuhën janë dy lëndët më të rëndësishme për fëmijët, për nxënësit, për të ardhmen e tyre profesionale dhe për ngritjen e tyre intelektuale,” u shpreh ai.
Albin Kurti, ndau edhe kujtime personale nga shkollimi i tij, duke përmendur arsimtarin e tij të parë të Matematikës nga Gjilani, Taip Sylejmani, i cili, sipas tij, e ka ndihmuar të zhvillojë aftësitë matematikore dhe të përgatitet për gara.