
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka mbledhur udhëheqësit e degëve të vetëvendosjeve nëpër komuna, si dhe kryesinë e partisë, për të diskutuar, përveç tjerash, edhe për “punën e shtuar që duhet bërë në ngritjen e opozitbërjes nëpër secilën komunë”. Nuk dihet nëse u ka shkuar ndërmend se udhëheqin me katër komuna në Kosovë dhe nëse e kanë pasur fjalën edhe për bërjen e opozitës vetes.
“Te çështjet organizative u fol për punën e shtuar që duhet bërë në ngritjen e opozitbërjes nëpër secilën komunë, në fuqizimin e qendrave tona, në shtimin e anëtarësimeve të reja, në mënyrë që kësisoj shumë shpejtë t’i kompletojmë strukturat tona për të garuar në secilin qytet të Republikës”, u tha në njoftimi e partisë Vetëvendosje në Facebook.
Në njoftim thuhet se Qeveria e udhëhequr nga kjo parti do “të vazhdojë ta ketë prioritet luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar në vend si dhe krijimin e parakushteve për paqe dhe siguri në secilën pjesë të Republikës”.