Kurti: Me Macronin biseduan për anëtarësimin e Kosovës në BE dhe tema të tjera

11:25 | 30 Mars 2026
kurti:-me-macronin-biseduan-per-anetaresimin-e-kosoves-ne-be-dhe-tema-te-tjera

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se në takimin me presidentin francez, Emmanuel Macron në Pallatin Elysee, ka diskutuar për tri shtylla kryesore: anëtarësimin e Kosovës në Bashkimin Evropian (BE) dhe organizata ndërkombëtare, rolin e NATO-s në sigurinë e vendit si dhe nevojën për forcimin e kapaciteteve mbrojtëse dhe menaxhimin e marrëdhënieve me Serbinë.

Në fjalën e tij hyrëse të mbledhjes së Qeverisë së Kosovës, kryeministri Kurti ka thënë se takimi me presidentin Macron ka zgjatur rreth dy orë dhe është karakterizuar nga një diskutim i hapur dhe i drejtpërdrejtë.

“Me presidentin Macron biseduam për rrugën tonë drejt anëtarësimit në BE dhe në organizata të tjera ndërkombëtare. Pastaj për rolin e rëndësishëm dhe të vazhdueshëm të NATO-s në Kosovë, për bashkëveprimin me aleatët veriatlantikë dhe për sigurinë rajonale në Ballkan. Forcimi i kapaciteteve mbrojtëse dhe raportet me fqinjin verior të Kosovës ishin çështje të cilat në kontekst të sigurisë së vendit tonë, i diskutuam me presidentin francez”, ka thënë Kurti.

Ai tha se me presidentin Macron diskutuan edhe për organizimin e forumeve të reja të biznesit Kosovë-Francë si vijimësi e atij që u mbajt muajin e kaluar në Prishtinë si dhe planet dhe investimet në edukim.

Kurti tha po ashtu se folën edhe për mbështetjen franceze në organizmin e Lojërave Mesdhetare 2030 të cilat do të mbahen në Kosovë./Anadolu

Komento: