Kurti me thirrje për ambasadorët: Historinë e Kosovës tregojeni me guxim, bindje dhe vendosmëri

11:38 | 28 December 2024
kurti-me-thirrje-per-ambasadoret:-historine-e-kosoves-tregojeni-me-guxim,-bindje-dhe-vendosmeri

Në edicionin e 7-të të Konferencës së Ambasadorëve, kryeministri Albin Kurti u bëri thirrje diplomatëve që historinë e Kosovës ta tregojnë me guxim, bindje dhe vendosmëri.

Para të pranishmëve, Kurti tha se ambasadorët në ndërtojnë ura komunikimi me vendet e tjera, dhe të sigurohen se zëri i Kosovës të mos mbetet i heshtur.

“Kosova është relativisht ende një vend i ri për shumicën e vendeve ku shërbeni ju, e që po ndërton dhe fuqizon pozitën e saj në skemën ndërkombëtare. Avancimi i pozitës tonë varet nga përkushtimi i secilit nga ne, puna juaj prandaj nuk është thjesht përfaqësim, por angazhim në fuqizimin e pozitës sonë. Fuqizimi i procesit të Berlinit, si platformë e përbashkët e bashkëpunimit rajonal dhe arritja e marrëveshjeve që promovojnë tregun e përbashkët rajonal, e së fundmi edhe Plani i Rritjes së Bashkimit Evropian, pastaj liberalizimi i vizave, aplikimi dhe kalimi me sukses në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, avancimi i statusit të Kosovës në Asamblenë Parlamentare të NATO-s, aplikimi për anëtarësim në Bashkimin Evropian, anëtarësimi në 10 organizata ndërkombëtare dhe aderimi në Konventën Ndërkombëtare janë disa nga sukseset tona të përbashkëta në politikën e jashtme, suksese këto që do t’i shohim në muajt e ditët që vijnë”, u shpreh shefi i qeverisë.

“Të dashur ambasadorë, është detyrë e juaja të tregoni historinë e popullit tonë, por edhe të mësoni e të kuptoni sa më mirë që mundeni, historinë, kulturën dhe aspiratat e shumë vendeve. Tregojeni historinë tonë me guxim, bindje dhe vendosmëri. Ndërtoni ura komunikimi, dhe sigurohuni që zëri i Kosovës të mos mbetet i heshtur në asnjë Forum, në asnjë tryezë dhe asnjë bisedë ku flitet për Kosovën”.

Komento: