Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në eventin “Let’s Talk”, histori suksesi me tre persona nga komuniteti rom, ashkali e egjiptian, organizuar nga OJQ VoRAE.
Në këtë aktivitet, kryeministri pati mundësinë të dëgjojë së afërmi historitë e suksesit të tre personave të komunitetit rom, ashkali dhe egjiptian, Elmira Pajazitin nga Gjakova, Berat Thaqin po ashtu nga Gjakova dhe Qëndresa Ademin nga Fushë Kosova.
Në adresimin e tij, duke folur rreth fushës së arsimit, kryeministri tha se “Qeveria jonë ka investuar me 200 mijë euro në qendra mësimore, si ndihmë për suksesin e nxënësve rom, ashkali dhe egjiptian. Gjithashtu kemi ndarë 500 bursa për nxënësit e shkollave të mesme të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian e në vitin akademik 2022/2023 kemi ndarë për herë të parë 26 bursa në vlerë 1000 euro secila për studentët e vitit të parë universitar nga komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian. Ndërsa në vitin akademik 2023/2024 në të cilin ndodhemi aktualisht, po i mbështesim me 55 bursa studentët nga këto komunitete, prej tyre 35 vajza dhe 20 djem”.
Ai përmendi dhe masat afirmative për kyçjen në punë, si për nga njohja e diplomave, ashtu edhe për qasjen në vendin e punës përmes konkurseve publike, themelimin e grupit punues ndërinstitucional për parandalimin e raportimin e martesave të hershme të komunitetit rom, ashkali dhe egjiptian, regjistrimi i popullsisë i pranverës së ardhshme dhe punën e Ekipit Ndërinstitucional për Punësimin e romëve, ashkalive dhe egjiptianëve e hapat e vazhdueshëm që sa më shumë prej këtyre komuniteteve të jenë pjesë e tregut të punës. Më tej, theksoi dhe rëndësinë e kyçjes në institucionet publike, në institucionet e sigurisë publike por edhe në sektorin privat të ekonomisë.