Albin Kurti vazhdon të mburret me Qeverisjen e tij.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka mbajtur një fjalim në mbledhjen e 48-të të Këshillit të Përgjithshëm të Vetëvendosjes foli ndër të tjera edhe për punën që ka bërë Qeveria që udhëheq ai, ku tha se dy nga prioritetet kryesore mbeten puna dhe drejtësia.
Ai tha se në tre muajt e parë të këtij vitit ka rritje ekonomike prej 4.9%.
“Në këtë drejtim, vitin e kaluar e kemi mbyllur me 10,53% rritje ekonomike kurse në tremujorin e parë të këtij viti kemi rritje ekonomike prej 4,9% pasi që të hiqet inflacioni. E këtë vit për herë të parë, vlera e eksportit pritet të kap shifrën e një miliard eurove”, tha Kurti, shkruan Reporteri.net.
Ai tha se Kosova është vend në zhvillim me një ekonomi të vogël.
“Ne jemi ekonomi e vogël, jemi një vend në zhvillim, edhe pse as vendet e mëdha dhe të zhvilluara nuk kanë përgjigje të shpejtë për këto probleme (rritja e çmimeve të gazit e naftës, por edhe të hekurit e drithit). Por e kemi dhe ne një të mirë: jemi mësuar me vështirësi, dhe do t’ia dalim, duke ndihmuar njëri-tjetrin”, tha Kurti.
“Qeveria do të ketë këto parime për krizën: 1. do të angazhohet 100% të kohës për të zbutur dhimbjen ekonomike që do ndjejnë pjesët më të brishta të shoqërisë; 2. do të ketë vazhdimisht qasje zhvillimore për të afruar investime të huaja direkte; 3. në aspektin gjeopolitik e gjeoekonomik, ne do të jemi gjithnjë me kahje atlantiste dhe europianiste; 4. korrupsioni te ne nuk ka vend, dhe ata aktorë privatë apo politikë që përpiqen ta shfrytëzojnë krizën për të avancuar ndonjë veprimtari korruptive apo për të shantazhuar shtetin, do të hasin në vështirësi që nuk ua pret mendja; dhe 5. do të afrohemi ekonomikisht me Shqipërinë, sepse jemi komplementarë dhe ballafaqohemi me vështirësi të ngjashme, por edhe do të nxisim marrëdhënie ekonomike dhe me gjithë vendet të cilat e njohin Kosovën”, tha Kurti.