Kurti në Davos: Populli i Kosovës refuzon të kthehet në epokën e korrupsionit

16:26 | 20 Janar 2026
kurti-ne-davos:-populli-i-kosoves-refuzon-te-kthehet-ne-epoken-e-korrupsionit

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, në Forumin Ekonomik Botëror në Davos të Zvicrës, tek ka folur për qeverisjen e tij, ka thënë se e ka trashëguar një situatë me korrupsion endemik e se populli i Kosovës refuzon që të kthehet në të në të ardhmen.

“Ne e kemi trashëguar një situatë me korrupsion endemik. Ka rezistencë e qëndrueshmëri të fortë të njerëzve që të mos kthehen kurrë më aty. Pra shpresa jonë janë njerëzit, që ata do ta njoftojnë sistemin dhe publikun për korrupsionin që e hasin”, ka thënë ai, teksa ka shtuar se qeverisja e tij ka qenë shembull.

“Askush, absolutisht askush brenda kabinetit të ministrave s’e ka as imagjinatën më të vogël të përfshirjes në çfarëdo shkalle të korrupsionit”, ka thënë ai.

Duke folur për zgjedhjet e 28 dhjetorit, ai ka thënë se ato nuk kanë qenë synim i partisë së tij, por “pasojë e mungesës së bashkëpunimit me opozitën”.

Kurti ka thënë se Vetëvendosje ka provuar pas 9 shkurtit të vitit të shkuar që të takohej me parti opozitare, por se ata refuzuan.

Në zgjedhjet e 28 dhjetorit, Kurti dhe VV-ja fituan më shumë se 50 për qind të votave.

Komento: