Kryeministri Kurti ka qenë present sonte në festivalin ‘Suhareka na bashkon’.
“Si Qeveri e Republikës së Kosovës do të qëndrojmë pas planeve tona e për nevojat tuaja, për të ndërtuar sisteme dhe shërbime të domosdoshme që mbështesin mirëqenien dhe zhvillimin e të gjithë qytetarëve tanë”, tha kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në festivalin “Suhareka na bashkon”, i cili ju kushtohet personave me aftësi të kufizuara.
Në këtë skenë festivali, ku interpretuan artistë e këngëtarë nga Republika e Kosovës, Shqipërisë dhe Maqedonia e Veriut, kryeministri Kurti tha se garantimi dhe avancimi i të drejtave të njeriut është një çështje thelbësore në vetvete, por edhe shtytëse për shoqëri më të drejtë, e më të suksesshme.
“Për më shumë mundësi për të gjithë, për barazi, e për të mos e lënë askënd prapa, vitin 2022, siç u tha edhe këtu, e kemi shpallur vit të personave me aftësi të kufizuar. Ndonëse është një angazhim yni i përditshëm e i përhershëm, gjatë këtij viti kemi punuar më shumë, e më mirë, bashkërisht, për një shoqëri me mundësi për të gjithë”, theksoi ai.
Në komunikatën e ZKM’së thuhet se “si institucione edhe qendrore edhe komunale le t’i qëndrojmë pranë njëri-tjetrit që të jemi bashkë, sepse Suhareka na bashkon, ndërkaq solidariteti na barazon”.
Duke folur për përkrahjen institucionale, kryeministri veçoi mbështetjen për programet trajnuese për sportistët, me 100 mijë euro mbështetje vjetore për Komitetin Paralimpik të Kosovës dhe 40 mijë Euro për Federatën e Sportit për të Verbër, zbatimin e Masës 1.6 të Pakos së Ringjalljes Ekonomike, punësimin e asistentëve për fëmijët me nevoja të veçanta, e po ashtu për komunitetin e personave të verbër përmendi punën për krijimin e Sintezës Vokale në Gjuhën Shqipe.
Duke i ftuar të gjithë që të shtojnë përpjekjet për të ndërtuar një shoqëri të drejtë, e bashkërisht të krijojnë një të ardhme me mundësi më të mëdha për të gjithë, kryeministri tha se duhet t’i ndihmojmë më së shumti e më së pari ata që i kanë nevojat më të mëdha.