Kurti në New York takohet me Drejtoren Menaxhuese të FMN-së, ZKM-ja jep detaje

21:27 | 25 Shtator 2024
kurti-ne-new-york-takohet-me-drejtoren-menaxhuese-te-fmn-se,-zkm-ja-jep-detaje

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti,  ne New York është takuar me Drejtoren Menaxhuese të Fondit Monetar Ndërkombëtar, Kristalina Georgieva, në ambientet e Konsullatës së Përgjithshme të Kosovës në SHBA.

Siç thuhet në komunikatën e ZKM-ë, Kurti fillimisht e falënderoi znj. Georgieva për mbështetjen e vazhdueshme të FMN-së ndaj Kosovës në ndërtimin e kapaciteteve të qëndrueshme institucionale dhe zbatimin e reformave të rëndësishme ekonomike.

“Në takim u diskutua edhe rreth zbatimit të programeve që Kosova ka me FMN-në ku u veçua progresi i mirë i programit për Reziliencë dhe Qëndrueshmëri (Resilience and Sustainablity Facility) përmes të të cilit Kosovës i është mundësuar rritja e kapaciteteve të reja të energjisë së ripërtërishme, ndërkohë që u theksua përkushtimi për zbatimin e plotë edhe të programit të Aranzhimit për Gatishmëri (Stand by Arrangement)”, thuhet në njoftimin e ZKM.

“Drejtorja Menaxhuese, Georgieva e uroi Kosovën për rezultatet dhe suksesin e arritur në qëndrueshmërinë fiskale, si dhe për zbatimin me sukses të programeve aktuale të IMF. Ajo theksoi që rezultatet e Kosovës në menaxhimin e borxhit publik mund të shërbejnë si shembull edhe për ekonomitë tjera”, vazhdon komunikata.

“Gjatë bashkëbisedimit, gjithashtu u diskutua rreth mundësive të reja të bashkëpunimit në përmbushjen e agjendës së reformave ekonomike, realizmin e investimeve në infrastrukturë dhe energji, përmirësimin e klimës investimeve dhe avancimin e mjedisit për të bërë biznes”, thuhet në këtë komunikatë të ZKM-së.

Komento: