Kurti në takim me përfaqësues të Francës: Bojkoti i institucioneve nga serbët i orkestruar nga Beogradi

20:54 | 08 November 2022

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur sot në takim Ambasadorin e Francës në Kosovë, z.Olivier Guérot dhe Zëvendës Drejtorin nga Ministria për Punë të Jashtme dhe Evropë, z.Sylvain Guiaugué, ku ndër të tjera kanë folur edhe për zhvillimet e fundit në veri të vendit.

Kurti tha se dorëheqja e përfaqësuesve serbë nga të gjitha institucionet e Kosovës është veprim i nxitur nga Beogradi dhe përpjekje e këtyre të fundit për ta dekonstruktuar dialogun Kosovë-Serbi.

“U diskutua edhe për zhvillimet e ditëve të fundit. Kryeministri Kurti tha se bojkoti është i nxitur dhe orkestruar nga Beogradi zyrtar dhe është rezultat i veprimeve të tyre të vazhdueshme destruktive në dialogun ndërmjet dy vendeve. Ai ritheksoi se Qeveria e Kosovës është e përkushtuar për ta vazhduar dialogun dhe e angazhuar për rend dhe sundim të ligjit, paqe e siguri në Kosovë dhe rajon”, thuhet në komunikatën për media të Kryeministrisë.

Në takim u fol edhe për sigurinë në veri si dhe u përsërit nevoja urgjente për liberalizim të vizave për qytetarët e Kosovës.

“Ky takim miqësor u realizua me rastin e vizitës së një delegacioni të gjerë të shtetit të Francës në Kosovë i përbërë nga zyrtarë nga Ministria për Punë të Jashtme e Evropë dhe Ministria e Punëve të Brendshme, me ç’rast janë duke u zhvilluar takime teknike punuese me ministritë tona përkatëse në fushën e bashkëpunimit policor, luftën kundër krimit të organizuar e terrorizmit, menaxhimit të migrimit, azilit, liberalizimin e vizave, frankofoninë dhe marrëdhëniet bilaterale”, thuhet tutje.

Komento: