Kurti: Në takimin e 18 marsit diskutojmë një plan zbatimi për propozimin evropian

16:33 | 08 Mars 2023

Gjatë vizitës së një furre buke në Graçanicë ditën e sotme, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka folur para mediave edhe për takimin e 18 marsit në Ohër.

Kreu i Qeverisë tha se pritshmëritë për këtë takim janë që të vazhdojnë përgatitjet si dhe të shohin nëse do mund t’i bashkëngjisin propozimit evropian edhe planin e mirëfilltë të zbatimit të karakterizuar nga gjithëpërfshirja dhe efikasiteti.

“Pritjet tona janë që do të vazhdojnë përgatitjet për takimin e datës 18 mars në Maqedoninë e Veriut në Ohër dhe të shohim se si do të mund të ja bashkangjesim përkufizimin të dakorduar evropian dhe një plan të mirëfilltë zbatimi që duhet të karakterizohet nga gjithëpërfshirja dhe nga efikasiteti”, tha Kurti.

Kryeministri i vendit foli edhe për takimin e 27 shkurtit në Bruksel, ndërsa theksoi se ishte i gatshëm të nënshkruante, por që sipas tij jo edhe pala tjetër.

Ai shtoi se është dëm që teksti i dakroduar me pesë fjali në preambul dhe 11 nene gjithsej tashmë nuk është nënshkruar me datën 27 shkurt.

“Unë isha i gatshëm për të nënshkruar kur isha në Bruksel, andaj për marrëveshje duhen dy palë dhe nuk mjafton vetëm njëra. Është dëm që teksti i dakorduar me pesë fjali në preambul dhe 11 nene gjithsej tashmë nuk është nënshkruar me datën 27 shkurt. Dhe pse nuk ka nënshkrime, përgjigjen duhet ta kërkoni tek të tjerët”, tha Kurti.

Ndërsa nesër në Prishtinë pritet të vijë I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak, ku pasdite do të zhvillojë edhe takim me Kryeministrin Kurti.

Kjo u konfirmua për Reporterit nga zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu.

“Po, takimi do të zhvillohet nesër pasdite”, ka thënë shkurt Kryeziu.

Lajçak do të qëndrojë të enjten dhe të premten në Prishtinë, për të udhëtuar më pas drejt Beogradit.

Ky takim i tij vjen dhjetë ditë pas atij të fundit të mbajtur në Bruksel me Shefin e Diplomacisë së Jashtme të BE-së, Josep Borrell dhe Presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

Në takimin trepalësh të 27 shkurtit, Kurti dhe Vuçiq janë pajtuar në Bruksel që të mos ketë diskutime shtesë në lidhje me propozimin e BE-së.

Komento: