Kurti: Për dy vite do t’i ndajmë mbi 70 milionë euro për investime në Trepçë.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se brenda dy viteve të ardhshme do të ndahen mbi 70 milionë euro për investime kapitale në Trepçë.
Kurti pas takimit me drejtuesit e kësaj ndërmarrje, njofton se brenda muajit shtator ka pasur shtim të prodhimit dhe rritje të performacës.
“Në dy vitet në vijim, ne do t’i ndajmë mbi 70 milionë euro për investime kapitale. Me projektin tonë për Fondin Sovran, e kemi vendosur në qendër të zhvillimit ekonomik Trepçën. Kemi nevojë për shtim dhe rifreskim të punëtorëve”, tha Kurti, shkruan Telegrafi.
Sipas tij, gjatë periudhës së pandemisë Trepça është ndihmuar me 7 milionë euro.
“Mund të them me faktin që në muajin shtator ka pasur shumë prodhim në Trepçë, kemi nxjerrje të 16 mijë tonë xehe vetëm në Stan Tërg dhe mbi 4 mijë tonë të Kishnicës.
Është lajm i mirë për Trepçën se çmimet e metaleve në bursë janë ngritur. Jemi të lumtur kur ishim në qeverisje, e kemi dëshmuar se jemi të interesuar për këtë ndërmarrje. Në kushtet e pandemisë COVID-19, ne i kemi ndarë mbi 7 milionë euro për Trepçën, 2.6 milionë për rimëkëmbjen dhe 2.5 milionë për paga dhe pjesa tjetër për investime kapitale”, ka përfunduar ai.