Kurti nga Gjilani: Gazetarja na ndiqte nëpër ara e po më pyeste për Lajçakun, traktoristi tundi kokën dhe i dha gaz traktorit

14:03 | 13 Tetor 2022

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka shkuar sot në Gjilan, pas takimit me Emisarin Special të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

Ai bëri me dije se ka vizituar bujkun Osman Osmani nga Mireshi i Gjilanit, por përveç kësaj, rrëfeu edhe një ngjarje që i ndodhi teksa ka biseduar me bujqit.

Përmes një postimi në Facebook, Kurti tha se teksa po bisedonte me bujqit, një gazetare e ka ndjekur nëpër ara dhe e ka pyetur me insistim për Lajçakun.

“Unë e pyeta traktoristin për Lajçakun, por ai tundi kokën e i dha gaz traktorit”, tha kryeministri Kurti.

Pos kësaj, shefi i qeverisë tha se nga 5 deri me 30 tetor është koha ideale për drithërat.

“Këtë po e bën bujku Osman Osmani nga Mireshi i Gjilanit, i cili tash e tetë ditë po lavron, ku sivjet po i mbjellë 10 hektarë me grurë e 10 të tjera me misër. Pas rritjes së rendimentit këtë verë, po shtohen edhe mbjelljet këtë vjeshtë. Në vitin 2022 është rritur për 15.5% sipërfaqja e mbjellur me grurë dhe për 91% ajo me misër. Krahasuar me 2021 përkrahja qeveritare për mbjelljen e grurit është rritur për 216% për hektar, kurse për atë të misrit 119% për hektar”, ka shkruar më tej Kurti në Facebook.

Komento: