Kurti nis përgatitjet për ‘pranverën shqiptare’

08:31 | 06 February 2019

‘Pranvera shqiptare’, është paralajmëruar nga lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.

Kurti ka filluar t’i paralajmërojë qytetarët e Kosovës dhe të Shqipërisë që të përgatiten për një “Pranverë shqiptare”, duke aluduar në organizimin e protestave masive kundër idesë së presidentit Hashim Thaçi për marrëveshjen finale me Serbinë. Ai po synon përkrahje edhe nga Shqipëria, shkruan Gazeta “Zëri”.

Ka disa ditë që kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, po paralajmëron organizimin e protestave në Kosovë. Madje në njërën nga seancat e fundit të Kuvendit ai kishte deklaruar se Vetëvendosja do të organizojë protesta masive kundër presidentit të vendit Hashim Thaçi nëse ai nuk heq dorë nga ideja e tij për korrigjim të kufijve.

Të njëjtin paralajmërim për protesta Kurti e ka bërë edhe të hënën në një bashkëbisedim me studentët e Tiranës, madje ai është shprehur se në gjendjen në të cilën ndodhen Kosova e Shqipëria duhet të përgatiten për një “Pranverë shqiptare”.

“Presidenti Thaçi dhe njerëzit e tij po këmbëngulin me pazaret me territor. Le ta dinë se nëse vendosin të na sjellin para një akti ose fakti të kryer me një marrëveshje që prek territorin e Kosovës protestat jo vetëm që do të përsëriten, por nuk do të jenë shumë më madhështore”, ishte shprehur Kurti.

Komento: