Kurti njofton për tri marrëveshjet që nënshkroi në Berlin, tregon çka foli me Kancelarin Scholz

22:16 | 03 November 2022

Kryeministri Albin Kurti ka njoftuar për marrëveshjet që ka nënshkruar ai dhe liderët e tjerë të Ballkanit Perëndimor në Berlin: për lëvizjen e lirë me letërnjoftime; për njohjen e kualifikimeve të arsimit të lartë; si dhe për njohjen e kualifikimeve profesionale të mjekëve, dentistëve dhe arkitektëve.

Përmes një postimi në Facebook, Kurti ka thënë se e ka falenderuar Kancelarin e Gjermanisë, Olaf Scholz, për punën e bërë nga qeveria gjermane, derisa ka thënë se ka kërkuar bashkëpunim të bazuar në respekt reciprok dhe barazi.

“Për arritjen e këtyre marrëveshjeve të rëndësishme, falënderova Kancelarin Scholz, për punën e bërë nga qeveria gjermane si dhe të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor për angazhimin”, ka shkruar Kurti.

Kurti ka deklaruar se marrëveshjet e nënshkruara duhet të zbatohen dhe të përmirësohet pozita e Kosovës në procese rajonale.

“Marrëveshjet e nënshkruara duhet të zbatohen dhe pozita e Kosovës në procese rajonale duhet të përmirësohet. Kosova duhet të kryesojë orgnizata rajonale në të cilat është anëtare dhe të jetë nikoqire e tyre”, ka shkruar Kurti.

Postimi i plotë:

Në kuadër të Procesit të Berlinit sot jetësuam Tregun e Përbashkët Rajonal me nënshkrimine tri marrëveshjeve të mobilitetit: për lëvizjen e lirë me letërnjoftime; për njohjen e kualifikimeve të arsimit të lartë; si dhe për njohjen e kualifikimeve profesionale të mjekëve, dentistëve dhe arkitektëve.

Për arritjen e këtyre marrëveshjeve të rëndësishme, falënderova Kancelarin Scholz, për punën e bërë nga qeveria gjermane si dhe të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor për angazhimin.

Kosova është partner dhe aktor proaktiv dhe konstruktiv. Andaj theksova se ne kërkojmë bashkëpunim të bazuar në respekt reciprok dhe barazi, e bashkëpunim që promovon rregullat dhe vlerat e BE-së, që mundëson përparimin dhe avancon demokracinë.

Marrëveshjet e nënshkruara duhet të zbatohen dhe pozita e Kosovës në procese rajonale duhet të përmirësohet. Kosova duhet të kryesojë orgnizata rajonale në të cilat është anëtare dhe të jetë nikoqire e tyre.

Në sesionin e sigurisë së furnizimit me energji, adresova faktin se Kosova është me fat që nuk mbështetet në gazin e Rusisë, por megjithatë mbështetemi në importin e energjisë elektrike, e veçanërisht gjatë dimrit. Kriza energjetike, e rënduar nga agresioni rus në Ukrainë dhe përdorimi si armë i energjisë nga Putini, ka ndikuar nëpërmjet çmimeve të larta të energjisë elektrike.

Republika e Kosovës iu bashkua të gjitha sanksioneve të BE-së kundër Federatës Ruse, sepse e kuptojmë se gazi i lirë i Rusisë është i kushtueshëm për sigurinë dhe paqen e Evropës, e më e rëndësishmja, për jetën e popullit ukrainas. Ne besojmë se asnjë vend demokratik nuk duhet të qëndrojë neutral përballë mizorisë dhe agresionit të Rusisë në Ukrainë.

Si qeveri, ne po synojmë të mbrojmë qytetarët tanë nga rritja e çmimeve të energjisë, por edhe të sigurojmë që të ketë stimuj për të rritur efiçiencën e energjisë dhe për të ulur kërkesën për energji. Këtë vit kërkesa jonë për energji elektrike është ulur me mbi 6%. Ne synojmë ta mbajmë këtë trend duke subvencionuar familjet që kursejnë energji dhe blejnë pajisje efiçiente për ngrohje. Deri në fund të vitit, ne do të miratojmë Ligjin tonë të parë për Burimet e Ripërtritshme të Energjisë, do ta bëjmë më të lehtë për familjet dhe bizneset instalimin e paneleve diellore dhe do të hapim ankandin e parë për investitorët privatë.
Falënderova BE-në dhe Gjermaninë që kanë qenë partnerë tonë të palëkundur.

Komento: