
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar pas aktgjykimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës ndaj katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi.
Kurti e ka cilësuar vendimin si “padrejtësi të papranueshme” dhe “ndëshkim të madh dhe të dëmshëm”.
Ai ka thënë se aktgjykimi, edhe pse është shqiptuar formalisht në emër të popullit të Kosovës, nuk duhet të ngatërrohet me vullnetin e qytetarëve.
“Shpallja fajtorë dhe dënimi kaq i rëndë për katër ish krerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, është padrejtësi e papranueshme, ndëshkim i madh dhe i dëmshëm. Aktgjykimi mund të jetë shqiptuar formalisht në emër të popullit të Kosovës, por kjo formulë e zbrazët nuk duhet ngatërruar me vullnetin e popullit. Ky aktgjykim patjetër duhet ndryshuar dhe korrigjuar në shkallën e apelit dhe atë sa më parë. Në këto momente të vështira, jemi pranë familjeve të ish krerëve të UÇK-së dhe të gjithë bashkëluftëtarëve çlirimtarë”, ka thënë Kurti në një video drejtuar qytetarëve”, ka thënë Kurti.
Në reagimin e tij, Kurti ka shprehur gjithashtu solidaritet me familjet e katër ish-krerëve të UÇK-së dhe bashkëluftëtarët e tyre.
“Në këto momente të vështira, jemi pranë familjeve të ish-krerëve të UÇK-së dhe të gjithë bashkëluftëtarëve çlirimtarë”, ka shkruar ai.
Ka thënë se Specialja ka nxjerrë konstatime të padrejta dhe se vendimi i saj është bazuar në themele plotësisht të pasakta.
Ai është zotuar për mbështetje nga Qeveria për të akuzuarit në Apel. Ka shtuar se aktgjykimi nuk mund të lexohet jashtë historisë në të cilën lindi UÇK-ja.
“UÇK-ja nuk ishte zgjedhja e një populli që kërkonte luftë, por përgjigjja e një populli që, i shtypur dhe i kërcënuar në vetë ekzistencën e tij, kërkonte liri. Populli shqiptar i Kosovës përjetoi heqjen e autonomisë, përjashtimin nga institucionet, dëbimin nga vendet e punës, shkollat dhe universiteti, burgosjet, torturat dhe vrasjet. Më pas erdhën masakrat, djegia e vendbanimeve, dëbimi masiv i qindra mijëra njerëzve nga shtëpitë e tyre dhe gjenocidi. Kjo vuajtje nuk ishte sfondi i rastësishëm i luftës, por realiteti që e bëri qëndresën çështje të mbijetesës së një populli”, ka thënë Kurti.
Ai ka akuzuar Gjykatën Speciale edhe për gjykim njëetnik dhe mungesë të transparencës.
“Drejtësia selektive mbi baza etnike bie ndesh me parimin themelor se drejtësia jo vetëm duhet të jetë e paanshme, por edhe duhet të perceptohet si e tillë”, ka thënë Kurti.
“Kosova do të vazhdojë të mbështesë Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin e Jakup Krasniqin në procedurën e apelit, në mbrojtje të plotë, dinjitoze dhe institucionale. Kjo është përgjegjësi ndaj qytetarëve tanë dhe besim në të drejtën për ta kundërshtuar një aktgjykim që ende nuk është përfundimtar. Sot u gjykuan akuza dhe veprime të caktuara; nuk u gjykua dhe nuk mund të dënohet arsyeja pse lindi UÇK-ja e as të njolloset ajo. Sepse kur atdheu nuk duroi më gjakatarë, ai thirri çlirimtarë, dhe emri i tyre ishte Ushtria Çlirimtare e Kosovës”, ka përfunduar Kurti.