Kurti pas takimit me Escobarin dhe Lajçakun: Nesër të diskutohen kornizat e marrëveshjes finale me njohje reciproke

20:53 | 17 Gusht 2022

Kryeministri Albin Kurti është takuar para pak minutash me Zëvendës-ndihmësin e Sekretarit të Shtetit për Çështjet evropiane dhe euroaziatike, Gabriel Escobar, dhe të dërguarin e BE’së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.

Pas takimit, ai ka folur për media. Sipas tij, takimi ka shkuar mirë dhe ishte përgatitor për atë të nesermin me Presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

Kurti ka thënë se nesër do të diskutohet elementet e kornizës së përgjithshme për marrëveshje që duhet të jetë marrëveshje për normalizim të plotë të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë me njohje reciproke dhe çështjet aktuale.

“Mirë shkoi takimi. Ishte takim përgaditor për atë çfarë do të zhvillohet nesër. Janë dy tema të rëndësishme. E para është elementet e kornizës së përgjithshme për marrëveshje që duhet të jetë marrëveshje për normalizim të plotë të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë me njohje reciproke dhe tjetra është çështjet aktuale ku natyrisht pritet të trajtohen të gjitha marrëdhëniet bilaterale me të gjitha vështirësitë dhe pengesat që janë shfaqur edhe kohëve të fundit”, tha Kurti për Kanal 10.

Escobar ka treguar pritjet për takimin e nesërm.

Ai ka thënë se shpreson në një marrëveshje, cila ruan sovranitetin dhe pavarësinë e Kosovës dhe gjithashtu parandalon dhunën.

“Ne duam të kemi bisedime produktive nesër dhe po shpresojmë që të dyja palët mund të arrijnë një marrëveshje, e cila ruan sovranitetin dhe pavarësinë e Kosovës dhe gjithashtu parandalon dhunën. Kështu që po shpresojmë për bisedime të mira”, u ka thënë ai mediave, para se të hyjë në takim me Kurtin në Bruksel.

Ndryshe, Kurti e Vuçiq do të takohen nesër në Bruksel, me fillim nga ora 10:30. Ky takim do të ndërmjetësohet nga Shefi i Diplomacisë së BE’së, Josep Borrell, i dërguari i BE’së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

Ndryshe, Departamenti amerikan i Shtetit ka konfirmuar pak më parë për Gazetën Online Reporteri.net se Përfaqësuesi i posaçëm amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka udhëtuar në Bruksel “për ta mbështetur takimin e nivelit të lartë të 18 gushtit të Dialogut të ndërmjetësuar nga BE”.

Komento: