Kurti pas takimit me Plenkoviqin: E informova për sulmin terrorist të 29 nëntorit

16:38 | 13 December 2024
kurti-pas-takimit-me-plenkoviqin:-e-informova-per-sulmin-terrorist-te-29-nentorit

Kryeministri i vendit, Albin Kurti njofton se e nisi vizitën e tij zyrtare në Kroaci me një takim me kryeministrin kroat Andrej Plenkoviq.

Në llogarinë e tij në platformën X, ai shprehet se diskutuan marrëdhëniet e shkëlqyera dypalëshe, duke përfshirë bashkëpunimin ekonomik, kulturor, social dhe të sigurisë, të cilat, siç tha, do të jenë në fokus sot me nënshkrimin e gjashtë marrëveshjeve të reja që synojnë lehtësimin e lidhjeve më të forta.

“Unë gjithashtu e informova kryeministrin Plenkoviq për situatën e sigurisë pas sulmit terrorist të 29 nëntorit”, shkroi tutje Kurti.

Ai përmendi edhe sulmet e mëhershme ndaj Policisë së Kosovës në veri.

Kurse kryeministri i Kroacisë, Plenkoviq, theksoi se të gjitha këto probleme duhet të zgjidhen me dialogun mes dy shteteve, që siç tha ai, duhet të përfundojë me njohje reciproke.

“E kam përmendur që ky incident s’është i ri, ka pasur tri së paku sulme që kanë ndodhur dhe sa i përket Kroacisë, do të analizohen shumë thellësisht dhe janë marrë me shumë shqetësim. Besojmë tek dialogu Kosovë-Serbi që të rezultojë me normalizim të marrëdhënieve dhe gjithsesi të përfundojë me njohje reciproke. Dhe të çojë tek pozita që Kosova të marrë rrugëtimin e saj adekuat drejt BE-së. Procesi mund të mos jetë i shpejtë për shkak të 5-shes që vazhdojnë të mos e njohin Kosovën”, ka thënë Plenkoviq./Gazeta10

Komento: